Presidenti Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes komandantin e Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, i cili humbi jetën në një spital në Turqi disa ditë pasi u infektua me COVID-19. Kreu i shtetit e cilëson Sallakun, si një ushtarak model, që punoi për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
“Në vlerësim të veprës së çmuar e të gjithanshme si një ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe me mirënjohje shtetërore për vlerat atdhetare e njerëzore, që shpalosi gjatë veprimtarisë së tij akademike dhe shkencore, si dhe ndaj kontributit të qenësishëm në zhvillimin, lartësimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve tanë në uniformë, duke u shërbyer me dinjitet dhe krenari demokracisë e vlerave të paqes në radhët e Aleancës së NATO-s, pata privilegjin t’i akordoj sot Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakut. I paharruar kujtimi i Tij dhe vepra e ndritur, që i la trashëgim Forcave tona të Armatosura” shkruan Meta.