Shqipëria ka nisur përgatitjet për tre ndeshjet e radhës. Edi Reja shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për tre sfidat kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos.
Kuqezinjtë janë grumbulluar në Barcelonë, teksa më 25 mars luajnë miqësoren kundër Andorrës. Më pas dy takimet e para të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022: kundër Anglisë në “Air Albania (28 mars) dhe pas tri ditësh në San Marino.
Sigurisht që ka edhe të pakënaqur nga lista e trajnerit Reja, dhe njëri prej tyre është menaxheri i Jasir Asanit. Aleksandar Jovkov ka reaguar në rrjetet sociale, duke protestuar për faktin që sulmuesit të Partizanit nuk i jepet asnjë shans.
“Ku është Jasir Asani në listë? Ai ka 3.5 vite që po luan me Partizanin, e shihni çdo ndeshje dhe nuk e ftoni asnjëherë. Mos harroni që ai la Maqedoninë e Veriut për të veshur fanellën e Shqipërisë, ju po talleni me karrierën e tij.
Jepini një shans, mos u tregoni amatorë. Duke parë ndeshjet që ka luajtur me Partizanin, Asani e meritonte një ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë“, shkruan menaxheri i 25-vjeçarit nga Shkupi. /abcnews.al