Paris Sg nuk njeh rivalë në Francë, vazhdon fitoret edhe në mungesë të yjeve

schedule16:23 - 15 Shtator, 2018

schedule 16:23 - 15 Shtator, 2018

Paris Sen Zhermeni duket se do ta ketë tepër të lehtë ta fitojë përsëri titullin kampion në Francë. Skuadra kryeqytetase vazhdon sukseset, edhe në mungesë të dy lojtarëve kryesorë.

Në fushë nuk ishin as Nejmar dhe as Kilian Mbape, padyshim dy lojtarët më të talentuar dhe të cilësuar si më të mirët e skuadrës dhe të kampionatit francez.

Paris SG, sërish, nuk e pati problem të arrinte një fitore çarmatosëse, 4-0, ndaj një rivali me shumë emër, edhe pse sot “të rënë nga vakti”, si Sent Etieni.

“Të gjelbërit”, 10 herë kampionë të Francës, u dominuan në “Park dë Prensis” nga një skuadër që kërkon t’i përngjajë, ndërsa deri tani e ka fituar 7 herë Ligën e Parë.

Me Bufonin në stol dhe Areolën në portë, PSG pati në fushë Julian Drakslerin, shënuesin e golit të parë, Edinson Kavanin, realizuesin e të dytit, si dhe Angel Di Marinë e Musa Diabinë (si zëvendësues), edhe këta autorë rrjetash.

Kavani vazhdon të thellojë rekordin e tij me 119 gola në kampionat dhe 173 gjithsej me fanelën e parizienëve.

Mbape dhe Nejmar ishin të angazhuar me ekipet kombëtare, pra lodhja bëri të vetën, ndërsa nuk ishte shumë problem të zëvendësohen në një ekip që ka talente të shumtë në përbërje.

Skuadra e trajnerit Tomas Tuhel kryeson kampionatin me 15 pikë të plota, pra me 5 fitore në 5 ndeshje, dhe me golaverazhin 17-4.

Në kundërshtim me “teoritë konspirative”, PSG nuk po pengohet aspak nga kompanitë e basteve që të fitojë ndeshjet radhazi dhe titujt radhazi.

Kryeqytetasit kanë 5 trofe të fituar në 6 vitet e fundit dhe synojnë të gjashtin.

E njëjta situatë në Gjermani me Bajernin dhe në Itali me Juventusin. /abcnews.al