Mungesa e kuorumit ka bërë që seanca e së premtes e Kuvendit të Kosovës të dështojë. E shtyrë disa herë gjatë ditës, edhe përpjekja e fundit për nisjen e punimeve në orën 18:00 nuk ka patur sukses. Në rend të ditës kanë qenë 40 pika, por mungesa e deputetëve të Vetëvendosjes, LDK-së, por edhe disa prej figurave të qeverisë ka pamundësuar mbajtjen e seancës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Kuvend. Ai ka deklaruar se Kosova duhet të miratojë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse dështojnë mund t’i kushtojnë vendit humbjen e fondeve me vlerë miliona euro. Sipas mediave kosovare, ditën për seancën e ardhshme do ta caktojë kryesia e Kuvendit./abcnews.al