Sulmi me 8 viktima në Atlanta, Biden dhe Harris takojnë komunitetin aziatik

schedule11:04 - 19 Mars, 2021

schedule 11:04 - 19 Mars, 2021

Pas sulmeve me 8 viktima në Atlanta, këtë të premte pritet që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris të vizitojnë qytetin në shtetin Xhorxhia, për të ofruar mbështetje për komunitetin aziatiko-amerikan.

Biden po ashtu urdhëroi që flamujt në të gjitha ndërtesat federale në SHBA dhe jashtë të ulen në gjysmështizë, për të nderuar tetë njerëzit e vrarë më 16 mars.

Mediat e huaja bëjnë me dije se Shtëpia e Bardhë ka pohuar se Biden e Harris do të takojnë udhëheqës aziatiko-amerikanë, për të diskutuar sulmet dhe kërcënimet kundër komunitetit.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë lidhur rritjen e dhunës ndaj aziatiko-amerikanëve me pandeminë COVID-19, e cila ka origjinën në Kinë. Disa ligjvënës kanë spekuluar se vrasjet janë motivuar së paku pjesërisht nga ndjenjat anti-aziatike, që burojnë nga pandemia.

Drejtori i FBI-së, Chris Wray, tha në një intervistë për radio-stacionin publik NPR se motivi i personit të armatosur ende nuk është kuptuar plotësisht.

Sulmuesi i dyshuar, Robert Aaron Long, është ngarkuar me tetë akuza për vrasje. Sipas Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në SHBA, krimet e urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve janë rritur për 149 për qind në vitin 2020 – në 16 qytete kryesore – krahasuar me vitin 2019./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!