Nga Gjergj Figuri
“Është kryqëzimi i vdekjes 5 kg bëhem kur kaloj këtu”. Kryqëzimi i Dajçit është një prej njollave të zeza në superstradën Lezhë – Shkodër. Bilanci i viktimave në dy vitet e fundit së bashku me atë të mbrëmjes së të mërkurës shkon në 5. “Për të hyrë në fshatin Dajç automjetet që vijnë nga Lezha përmes superstradës duhet të kryejnë në manovër 60 gradë, që për automjetet e mëdha nuk mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme, që mund të behet shkak për aksidente të mundshme.
Veç kthesës së fortë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Lezha drejt Shkodrës në këtë kryqëzim përballen dhe me mungesën e fushëpamjes. “Kamionit i ka hyrë makina nën të. Është i rrezikshëm se është poshtë dhe nuk shihet rruga. Ka mungesë fushëpamje. Kamioni ka qenë në rregull ka hyrë personi nën të dhe u bë dëmi” tha njw qytetar.
“Këtu o do shohësh njërin krah ose tjetrin se sheh hiç. Për të ardhur për shembull nga Lezha për të ikur në Shkodër, vetëm kur të hipin sipër. Nuk është hera e parë ja ku i ke njëri ka vdekur këtu. Mund të jenë 5-6 vetë që kanë vdekur, plus të sakatuar dhe të rënduar. Ky shtet po nuk vuri dorë në këtë punë do ketë pasoja gjithmonë. Për mua se gjynah ai që iku po ka pas faj se po merret rrugën për në Dajç”.
“Është shumë i rrezikshëm, prej mungesës së sinjalistikës, të mbikalimeve dhe nënkalimeve. Dhe këndi 60 gradë që e bën të pamundur kthimin e makinës për të marrë rrugën dytësore për të ikur në fshat, mungesa e fushëpamjes. Me pak investime nën këtë urë mund të kalonin mjete dhe fatalitetet do të ishin shmangur” tha një tjetër.
Mungesa e ndriçimit në këtë kryqëzim është një shkak tjetër që aksidentet më të rënda kanë ndodhur natën. Viktima e fundit ishte historiani Eduard Grishaj nga Shkodra. Ai po udhëtonte me mjetin e tij të tipit “Benz” dhe u përplas me një kamion që po dilte nga superstrada në një rrugë dytësore për në fshatin Dajç. Mjeti i 55 vjecarit u fut nën kamion. U desh ndihma e një fadrome për të lëvizur kamionin për të nxjerrë pas 2 orësh trupin e pajetë të Grishajt./ Abcnews.al