Oksigjeni industrial është përdorur edhe nga spitalet në Fier dhe Ballsh. Kjo zbulohet nga dosja e prokurorisë së Fierit e cila nisi hetimet menjëherë pas lajmit që “ABC” publikoi në nëntor të vitit të kaluar për tregtimin e bombolave te oksigjenit industrial për të sëmurët me Covid nga firma Brakaj.
Hetimet kanë zbuluar se pika e tregtimit të gazeve ka licencë vetëm për oksigjen industrial, por nga ana tjetër zbulohet se Spitali i Fierit dhe ai i Ballshit janë furnizuar gjithashtu në këtë subjekt me oksigjen.
Për të hedhur dritë mbi këtë skandal, prokuroria ka kërkuar informacion edhe nga shoqëria “Messer Albagaz”, nga e cila thuhej se furnizoheshin dy spitalet por që përfaqësues të “Messer Albagaz” hedhin poshtë këtë gjë për abcnews.al duke theksuar se Spitali i Fierit ka 18 muaj që nuk furnizohet me gaz nga kjo kompani ndërsa ai i Ballshit ka lidhur kontratë vetëm një javë më parë.
Në janar të këtij viti, prokuroria e Fierit nisi hetimin në gjendje të lirë për pronarin dhe shitësin e “Brakajt”, për veprën penale “importim, prodhim dhe tregtim te ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Ndërsa në prokurori përfaqësues të firmës deklaruan.
“Nuk e dinin që bombolat e oksigjenit që e shisnin përdoreshin për pacientet me Covid. Ligji nuk na detyron ti kërkojmë blerësve ndonjë certifikatë apo licencë përpara shitjes së bombolave me oksigjen industrial.”
Ky i fundit përdoret në industrinë ushqimore dhe për saldim.
Pacientët me Covid që trajtohen në shtëpi i përdorin këto bombola si aparat oksigjeni. Aktiviteti i kësaj firme u pezullua deri në fund të hetimeve.
/abcnews.al/