Ministri i jashtëm gjerman Hajko Mas bëri apel që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrohet një perspektivë e sigurtë nga Bashkimi Europian. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh ai paralajmëron se do të jetë Kina ajo që do marrë drejtimin e rajonit.
Apel vendeve europiane që të mos lënë pas dore Ballkanin Perëndimor. Paralajmërimi vjen nga ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas, i cili gjatë fjalës në parlamentin gjerman për politikën e jashtme të vendit të tij kërkoi që Ballkanit Perëndmor t’i jepet një perspektivë e qartë europiane përpara se vende – fuqi globale si Kina të zëvendësojnë Bashkimin europian si faktor kryesor në rajon.
Heiko Maas, ministër i Jashtëm, Gjermani: “Një temë me të cilën jemi marrë javët dhe muajt e fundit është ajo se si do të veprojmë me Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që t’u japim këtyre vendeve një perspektivë europiane të sigurtë. Në të kundërt ato do të orientohen drejt vendeve të tjera, si Kina, që gjithmonë janë në gatishmëri dhe nuk ndajnë të njejtat vlera me ne”.
Të njëjtin apel bëri një ditë më parë në Parlamentin Europian dhe presidenti i komisionit europian Zhan Klod Junker, i cili kërkoi unitet mes vendeve europiane për të antarësuar Ballkanin Perëndimor. Në të kundërt ai paralajmëroi vështirësi të mëdha për BE, kur rajoni më i afërt fqinj të drejtohet nga fuqi kundërshtare./abcnews.al