Nga Itxu Diaz, National Riview
Me litarin që i shtërngohej rreth fytit, dhe dhëmbët dhe kockat që nisën t’i thuheshin ngadalë, ai më në fund u rrëfye. Kishte qenë ai që i vuri zjarrin tempullit të Artemisës, një nga 7 mrekullitë e botës antike, në mënyrë që emri i tij të hynte në histori.
Emri i tij ishte Herostrat, dhe ai ishte shembulli i parë i famës në botë. Sot, ai do të ishte bloger dhe përdorues aktiv i YouTube. Gjithsesi, Herostrati u ekzekutua me vdekje. Valerius Maximus që e tregon këtë histori, vëren ndër të tjera se si “pasioni për lavdi personale, mund të arrijë deri në sakrilegj”.
Por përkundër gjithçkaje, Herostratit iu deshën vite për t’u bërë i famshëm. Pas vdekjes së tij, Efesi e ndaloi me ligj përhapjen e emrit të tij, për ta parandaluar përmbushejn e dëshirës së zjarrvënësit. Por historiani Theopompus, që nuk ishte nga Efesi, e zbuloi emrin e tij më vonë, duke ia sabotuar strategjinë.
Para se Andy Warhol të fliste për “15 minutat e famës” që ka potencialisht çdo njeri në një moment të caktuar të jetës, popullariteti ishte dikur një proces i gjatë, dhe që shpesh buronte nga një akt heroik. Ndonjëherë, fama ishte rrjedhojë logjike e admirimit.
Por koha që po jetojmë ka qenë pioniere e zbehjes së këtij procesi, duke e ndërprerë lidhjen e famës me vepra gjerësisht të admirueshme.
Në fillim, fama lidhej me mbajtjen e dikujt nëpër gojë nga të tjerët brez pas brezi. Më vonë, ajo u regjistrua në arte, libra, radio, gazeta dhe televizion. Sot, është në rrjetet sociale. Mjafton vetëm një klikim, dhe një histori e rëndësishme mund të udhëtojnë nëpër botë brenda pak sekondash, duke e shndërruar ndonjë personazh anonim në të famshëm, pavarësisht nga meritat.
Fama ka shkatërruar shumë jetë. Artistët e viteve 1980, ranë shpesh pre e varësisë nga droga dhe vetë-shkatërrimi, pasi nuk dinin si ta menaxhonin popullaritetin e tyre të papritur. Por, me shumë fat dhe me një këngë hit, atëherë do të duhej gjithsesi jo më pak se një vit që të niste fenomeni i fansave të dikujt.
40 vjet më vonë, e njëjta gjë mund të arrihet për disa sekonda. Në vitin 2021, ne jetojmë në një pandemi të narçizizmit, për të cilën nuk ka asnjë vaksinë. Metafora nuk është e imja, por e sociologëve amerikanë Jean M.Twenge dhe W.Keith Campbell në librin e tyre “Epidemia e narçizizmit”.
Autorët bëjnë dallimin midis narçizizmit mbizotërues dhe vetëvlerësimit të shëndetshëm. Në rastin e dytë, njerëzit kanë një mendim shumë pozitiv për veten e tyre, por kjo nuk i pengon ata të ruajnë etikën, dhe mbi të gjitha të vazhdojnë të duan të tjerët.
Në rastin e parë, ajo që ndien dikush për veten e tij, është më shumë e ngjashme me adhurimin, me botën e jashtme që atyre u duket se është një rivale e tyre, e cila zgjon të gjitha llojet e inateve, dhe që pengon çdo lloj mënyre për të pasur një marrëdhënie me të tjerët.
Studimi i Twenge dhe Campbell, zbulon një lidhje të rrezikshme midis narçizizmit dhe rritjes së sjelljeve të dënueshme sociale tek fëmijët dhe adoleshentët.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se budallallëku narçizist nuk është një terren ekskluziv i të rinjve:Fqinji im, që duket sikur është 1.400 vjeç, i kalon ditët duke bërë selfie sugjestionuese mbi dyshemenë e shtëpisë së tij, megjithëse e vetmja gjë që ato foto më nxisin mua është që t’i bëj bllok profilit të tij.
Kur 2 persona bëhen të famshëm për rrahjen e një njeriu të pastrehë, dhe për transmetimin e ngjarjes drejtpërdrejt në rrjetet sociale, sistemi ynë i ndëshkimit social bëhet i paefektshëm. Numri i ndjekësve, u krijon atyre iluzionin e rremë se veprimet e tyre kanë fituar një mbështetje të madhe.
Ata i shohin ndjekësit si bashkëpunëtorë që i miratojnë veprimet e tyre të gabuara. Jo shumë kohë më parë, 2 idiote që punonin në Spanjë si kujdestare në një azil për të moshuarit, postuan në rrjetet e tyre sociale një video në të cilën njëra prej tyre poshtëronte një zonjë të moshuar që ishte thuajse e paralizuar.
Punonjësja e ofendoi, pështyu dhe e bullizoi, ndërsa shoqja e saj – e cila filmonte skenën – u shfaq një moment para kameras së celularit duke qeshur. Papritmas një person zemërmirë e shpërndau videon dhe të dyja punonjëset u identifikuan, u pushuan nga puna dhe u kritikuan ashpër nga shumë njerëz.
Pak ditë më vonë njëra prej tyre postoi një video në rrjetet sociale duke kërkuar falje. Por kur dikush tregon se është pasardhëse e një hiene, faljet janë të mirëseardhura. Megjithatë, ato nuk mund ta ndryshojnë dot faktin se ne ende mendojmë se vajza ka një zemër prej guri, dhe një ndërgjegje të përmbytur nga ujërat e zeza.
Nuk do të ishte e paarsyeshme po të arrinim në përfundimin se ishte një koktej i së keqes, mungesës së vlerave, dehumanizmit, narçizizmit dhe budallallëkut,ajo që i bëri ato vajza ta trajtonin në atë mënyrë zonjën e moshuar që ishte duke vdekur.
Pa fiksimin e popullaritetit social të Instagram-it, ndoshta ajo skenë e neveritshme nuk do të kishte ndodhur. Disa mund të thonë se falë rrjeteve sociale, 2 punonjëse që nuk e meritonin atë punë u pushuan nga puna, por unë mendoj se fakti kryesor është ky:Ka miliona njerëz që janë të gatshëm të bëjnë gjëra të tmerrshme vetëm për të fituar disa mijëra ndjekës.
Po rikthehem tek Twenge dhe Campbell, duke nënvizuar se Krishterimi ishte dikur një metodë efektive për të frenuar dëshirën tonë të tepruar për famë. Ajo ishte një kohë e mirë për të bërë përgjegjës të gjithë ata që me përgjegjësinë politike apo mediatike, kanë luftuar për vite me radhë për t’i zhdukur vlerat e krishtera nga jeta shoqërore, shkolla, media dhe familja.
Edhe nëse ata janë koherentë me mungesën e besimit, ne mund t’i pyesim:Çfarë dreqin na keni ofruar në këmbim? Etika shekullariste, rrënja e gjithë mendjemadhësisë që ka kapluar sot shumëkënd, nuk mund të jetë kurrë një filtër natyral për narçizizmin.
Ai që nuk e ka marrë premtimin e një lavdie në përjetësi, është mish për top dhe do të bjerë në kthetrat e fiksimit neurotik për të fituar lavdi në këtë botë.
Fama është shndërruar në një gjenerator të idiotëve, të cilët para bumit të internetit, shihnin përhapjen e budallallëkut të tyre të kufizuar vetëm tek rreth i miqve. Sot rrjetet sociale, kanë arritur që të përhapin marrëzinë nëpër botë shumë më shpejt dhe me efikasitet.
Nga fundi i shekullit të kaluar, Mark Snyder zhvilloi teorinë e tij të vetë-monitorimit , që lidhej me famën tradicionale. Vetë-monitorimi, nuk është asgjë më shumë sesa aftësia për të marrë një rol të caktuar dhe për ta ekzaminuar vazhdimisht veten, në mënyrë që të veprojmë me koherencë totale siç diktohet nga ai rol.
Kjo është edhe arsyeja pse rruga drejt famës tradicionale është e vështirë, pasi shmang çdo sjellje spontane dhe tek e fundit çdo shenjë sinqeriteti. Fama e sotme e ka eliminuar vetëkontrollin. Në shumë raste, individi nuk e di se çfarë e pret realisht në anën tjetër të“murit të anonimitetit”.
Kur e kapërcen atë, ai zbulon se aftësia e reagimit mbi popullaritetin e fituar në një botë të globalizuar mund të bëhet një makth. Shpesh, fama e përkohshme është e papritur dhe akoma më e pakontrollueshme. “Qielli i famës nuk është shumë i madh”- shkroi dikur spanjolli Miguel de Unamuno duke shtuar “Sa më shumë njerëz që hyjnë në të, aq më e vogël është pjesa e secilit”. Shkrimtari i famshëm francez Honoré de Balzac, ishte më pragmatik. Ai tha në një rast:“Fama është një helm, që është mirë të merret në doza të vogla!”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

