Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka vlerësuar pozitivisht negociatat me Shqipërinë dhe thotë se dialogu i vazhdueshëm ka zhbllokuar integrimin e vendit tonë. Gjithashtu ai paralajmëroi BE-në për rrezikun që mund t’i vijë nga partitë populiste.
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin Evropian ka folur gjerësisht për shumë tematika, ndër të cilat përfshihej edhe çështja e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Shefi i qeverisë së Athinës vlerësoi pozitivisht negociatat me Shqipërinë dhe marrëveshjen për emrin me Maqedoninë.
Aleksis Tsipras, Kryeministër i Greqisë: “Zhbllokuam perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit me përpjekjet tona. Përpjekjet tona u kurorëzuan me marrëveshjen historike të Prespës me fqinjin tonë verior dhe dialogun e vazhdueshëm me Shqipërinë. Pas 26 viteve të sovranitetit shkatërrues të nacionalizmit, ne kemi arritur me Kryeministrin maqedonas Zev, të kthejme një faqe të re dhe arritëm një marrëveshje reciproke të pranueshme”.
Më tej Tsipras vlerësoi përsëri marrëveshjen me Shkupin, duke thënë se ishte një akord i arritur pa nevojën e ndonjë presioni të jashtëm. Sipas tij pakti është nënshkruar falë diplomacisë dhe dialogut. “Kjo është një marrëveshje që mund të jetë një model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajonin tone”, shtoi më tej ai. Ndër të tjera Tsipras renditi sukseset e qeverisë së tij dhe paralajmëroi Bashkimin Evropian rreth rrezikut që e pret me rritjen e partive populiste. Ai nënvizoi se zgjedhjet e vitit të ardhshëm të Parlamentit Evropian do të jenë një betejë për ta shpëtuar Unionin nga politikat e atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë. /abcnews.al