Dialogu Kosovë-Serbi dhe pandemia, Palmer takim virtual me Avdullah Hotin dhe Vjosa Osmanin

schedule18:11 - 11 Mars, 2021

schedule 18:11 - 11 Mars, 2021

Presidentja e Kosovës ka zhvilluar pasditen e sotme një takim virtual me zv/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer. Mediat në Kosovë raportojnë se Palmer ka uruar Osmanin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë. Në bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e dialogut me Serbinë dhe angazhimin aktiv në këtë proces.

Osmani është shprehur se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke ndërsa Palmer ka thënë se përkushtimi i Kosovës në dialog kontribuon në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon. Palmer ka theksuar se SHBA do të jenë të përfshira si partnere në dialog, duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian.

Më herët Palmer ka zhvilluar një bisedë edhe me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, për sfidat me të cilat përballet Kosova, mes tjerash pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Kryeministri Hoti ka falënderuar z. Palmer për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të kryeministrisë.

Sa i përket pandemisë, Hoti ka njoftuar të njëjtën ditë se në Kosovë do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit.

“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!