Trajneri i ri i kombëtares është tema e momentit në futbollin gjerman. Joachim Low do të largohet pas përfundimit të Euro 2021, duke i dhënë fund aventurës 15-vjeçare në stolin e katër herë kampionëve të botës.
Disa emra përfliten për t’i zënë vendin 61-vjeçarit. Në “pole” ndodhet Hans Dieter Flick. Ky i fundit po bën shumë mirë me Bayernin dhe pëlqehet shumë nga drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
Flick ka punuar si ndihmës i Joachim Low, në krah të të cilit fitoi Botërorin Brazil 2014. Bayerni nuk dëshiron të heqë dorë nga shërbimet e tij, por nuk mund të mbetet pa një alternativë tjetër.
Bild zbulon edhe të preferuarin e klubit bavarez. Nëse Flick vendos të marrë drejtimin e “Pancerave”, kampionët e Gjermanisë do të nisin sulmin për të arritur një akord me Julian Nagelsmann.
33-vjeçari po drejton me sukses Leipzig, ekip që e dërgoi në gjysmëfinalet e Champions League sezonin e kaluar, teksa këtë sezon po rivalizon me Bayernin për titullin kampion. /abcnews.al