Drita triumfon 2-0 në derbin e Anamoravës, kurse Ballkani ndjekës merr tre pikë të arta me goleadë në transfertë me Arbërinë dhe nuk u ndahet kryesuesve të Ipko Superliga e Kosovës.
Kampionët në fuqi e zgjidhën shpejt duelin kundër Gjilanit, pasi që në minutën e 11-të Hamdi Namani gjeti rrugën e rrjetës. Në fund të 45 minutave të para la shenjë në derbi edhe kapiteni Ardian Limani, i cili realizoi golin e qetësisë.
Drita ruan vendin e parë dhe ndiqet nga Ballkani, që mposhti 6-2 jashtë fushë Arbërinë që po lufton për të qëndruar në elitën e futbollit dardan.
Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi shënoi dy herë në pjesën e parë. Arbër Hoxha zhbllokoi shifrat, ndërkohë që tre herë rrugën e rrjetës e gjeti Mirlind Daku, kryegolashënuesi i kampionatit dardan. Gripshi dhe Zeka e shënuan gjithashtu emrin në listën e lojtarët që shënuan kundër Arbërisë.
IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS- JAVA 24
Arbëria-Ballkani 2-6
Shënues: Kryeziu 65’, Marclei (pen.) 74’ / Hoxha 33’, Daku 42’, 66’, 69’ Gripshi 50’, Zeka 78’
Drita-Gjilani 2-0
Shënues: Namani 11’, Limani 40’