Presidenti i Kosovës vijon të insistojë në idenë e korrigjimit të kufijve si pjesë e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë. Ai kërkon që në dialogun me Beogradin të negociohet edhe bashkimi i Preshevës me Kosovën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një mesazhi në facebook ka folur edhe njëherë për rishikime kufijsh. Kreu i Shtetit thekson se vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. “Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet”, shkruan Thaçi.
Presidenti i Kosovës thekson se duhet të punohet për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. “Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”, shprehet kreu i shtetit.
Në fund Thaçi pretendon se “kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hap rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian”./ abcnews.al