Shuhet familja Cara në Rubik, fqinjët të tronditur: Kemi pasur 4 të vdekur në pallat nga Covid

schedule16:48 - 6 Mars, 2021

schedule 16:48 - 6 Mars, 2021

Familja Cara nga Rubiku i Mirditës hap për herë të tretë brenda javës dyert e mortit. Covid i ka marrë jetën 3 pjesëtarëve të familjes Cara.

Fillimisht ndërroi jetën në banesë kryefamiljari Hamit Cara 75 vjeç dhe më pas djali Albani 49 vjeç në spitalin e Rrëshenit, i cili vuante dhe nga epilepsia.

Një javë më pas ditën e premte nëna e shtëpisë 73 vjeçarja Dushe Cara mbylli sytë në spitalin Shefqet Ndroqi.

Fqinjët e tyre janë të tronditur pasi më herët në këtë pallat ka humbur jetën nga Covid dhe një tjetër banor.

“Jemi të tronditur. U bënë 4 vetë në pallat para dy javësh vdiq dhe një tjetër. Djali ju vuante dhe nga sëmundja e tokës, si sot një javë vdiq nga Covid”, shprehet një nga fqinjët.

Dyshohet se tre pjesëtarët e familjes Cara mund të jenë infektuar nga vëllai i Dushes pasi ai ka qenë më herët i infektuar me Covid dhe ka humbur dhe jetën rreth një muaj më parë. /abcnews.al