Abc/Story: Kodikët e shenjtë të Beratit, si u ruajtën nga grabitja naziste më 1943

schedule22:54 - 6 Mars, 2021

schedule 22:54 - 6 Mars, 2021

Në fund të vitit 1943, një togë ushtarësh gjermanë u ngjiten në Kalanë e Beratit me qëllim përmbushjen e një misioni special.  Të drejtuar nga një oficer që duket ishte edhe bizantinolog, ata kishin urdhër të gjenin dhe merrnin me vete disa libra të vjetër që i përkisnin kishës.

Të dhënat i kishin tepër të sakta. Thoshin me gojën e tyre se librat ishin shkruar me dorë në pergamenë me ngjyrë të purpurt dhe se datonin përmbi 1000 vite të vjetër.

Për të shtënë në duar librat e rrallë, ushtarakët nazistë kishin dorë të lirë të kryenin edhe raprezalje, madje të shkonin në plumb të gjithë ata që do ti pengonin në qëllimin e tyre, qofshin edhe njerëz në shërbim të Zotit.

Në fakt nazistët e dinin mirë se çfarë kërkonin në Kishat e kalasë së Beratit. Ajo që nuk dinin ishte se klerikët ortodoksë dhe banorët e lagjes Kala nuk përballeshin për herë të parë me një rrezik të tillë. Librat e vjetër, apo librat e shenjtë të Kishës, kishin qenë historikisht në shënjestër të ushtrive të huaja pushtuese.

Por çfarë ishin këta libra? Çfarë përfaqësonin për Kishën dhe shqiptarët?

I pari dhe më i rëndësishmi është i quajturi Kodeks Beratinus 1 – ose Kodiku i purpurt i Beratit, një ungjill prej 190 faqesh të shkruara me dorë mbi pergamenë, që përmban shumicën e teksteve sipas Shën Markut dhe Shën Mateut.

Libri daton mesin e shekullit të gjashtë pas Krishtit dhe përfaqëson një nga tre apo katër ekzemplarët më të vjetër të Dhjatës së Re duke qenë edhe një pikë e rëndësishme referimi për zhvillimin e letërsisë biblike dhe liturgjike në të gjithë botën.

Libri tjetër, Kodeks Beratinus 2, ose Kodiku i Artë i Beratit, është më i ruajtur. Daton shekullin e nëntë pas Krishtit, përbëhet nga 420 faqe dhe i përmban të plotë të katër ungjijtë. Edhe ky kodik është prej pergamene, por ka një veçanti; është i shkruar, nga fillimi në fund, vetëm me shkronja ari.

Historia thotë se gjatë Mesjetës, edhe pse nuk ishte një fakt të cilit i ishte bërë publicitet që të tejkalonte kufijtë e zonave të populluara me shqiptarë, kodikët e Beratit janë vënë në shënjestër të pothuaj të gjitha ushtrive të huaja pushtuese. Francezët, italianët, serbët osmanët e kështu me radhë, që të gjithë do të kërkonin të merrnin kodikët e Beratit, pavarësisht kostos, pavarësisht masakrave në radhët e popullsisë së këtij qyteti.

Dy kodikët e purpurt të Beratit do të bëheshin të njohur përtej trevave shqiptare vetëm në pjesën e dytë të shekullit të 19, kur një Mitropolit i Beratit, i quajtur Anthim Aleksudhi dhe më pas një studjues belg, Pjer Batifol (Pierre Batiffol), do të publikonin studime të mirëfillta shkencore për dy kodikët.

Pikërisht këto studime do të bënin që interesi dhe gjahu ndaj kodikëve të shtohej. Gjatë Luftës së Parë Botërore klerikët ortodoksë dhe populli i Beratit arrijnë ti ruajnë ata nga ushtria austriake, ndërkohë që ruajtja e kodikëve gjatë Luftës së Dytë, nga grabitja e ushtrisë nazi-gjermane, është e mirëdokumentuar.

Kodikët murosen në dyshemenë e një prej kishave të shumta të Kalasë së Beratit dhe kështu vijuan të mbeten në pronësi të shqiptarëve.

Ata dalin në dritë vetëm në vitin 1968, kur i gjallë kishte mbetur vetëm njëri nga priftërinjtë që ruante sekretin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!