Hetimet e SPAK-ut mbi “sheikët” e drejtësisë dhe sfida që vjen pas

schedule12:25 - 6 Mars, 2021

schedule 12:25 - 6 Mars, 2021

Nga Dashamir Biçaku

Hetimi i fundit i SPAKU-t ndaj Enkelejda Hoxhës dhe grupit të saj tregoi se me pak mjete, por me shumë dëshirë, mund të bëhen gjërat që duhen. Gjykata e Shkallës së Parë, por edhe Apeli konfirmuan ligjshmërinë e hetimeve të nisura nga SPAK-u ndaj gjyqtares së famshme të Krujës.

E po kështu, të ndahet një herë e mirë shapi nga sheqeri: Ai që dëshiron të mbetet në krahun e të mirës dhe ai që dëshiron të qëndrojë kundër saj.

Secili e zgjedh vetë rrugën se si do të ndjekë të jetojë: I ndershëm e me dinjitet, pavarësisht sfidave të vështira që të sjell jeta, apo të bëhet “sheik”, me para që mbajnë erën e gjakut të viktimave të luftës së krimit të organizuar e që, në jo pak raste, jetëhumburit janë viktima të një lufte të egër për të zotëruar përfitimet e bizneseve të zeza që rrjedhin nga kjo sipërmarrje.

Por nga ana tjetër, Enkelejda Hoxha, me vendimet e saj, duket se ka pasur një guxim të pashembullt për të sfiduar shtetin e të drejtës, duke krijuar një precedent të rrezikshëm nëse nuk do t’i ndërpritet rruga.

Sigurisht, ajo ka ecur në një rrugë të shkelur më parë nga kolegë të tjerë të saj, duke nxjerrë nga burgimi i përjetshëm persona me jetëshkrim të pasur kriminal.

Të shtunën e 13 shkurtit, tri javë më parë, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmoi ligjshmërinë e arrestimit të “momës” së Gjykatës së Krujës, nëse mund të quhet kështu pa frikë Enkelejda Hoxha, për shkak të intensitetit të lartë të vendimeve të llahtarshme të saj në dëm të publikut në Shqipëri.

Hetimi i deritanishëm, nëse është kryer me seriozitet maksimal, dëshmon më së miri përmbajtjen e rrezikshme që vazhdon të gatuhet në kuzhinat e deritanishme të strukturave të gjyqësorit në Shqipëri. Nuk do mend, se në të gjithë këtë sistem, rrallëherë gjen gjyqtarë që kanë kurajon të interpretojnë me korrektesë drejtësinë, atë pa tufat e parave mes fletëve të Kodit Penal, për të drejtin e të ndershmin, dhe jo drejtësinë e të fortit e të gjithëpushtetshmit.

Sfida që mbetet pas arrestimit të asaj që preferoj ta quaj “moma” e Gjykatës së Krujës, mbetet anulimi i të gjitha vendimeve të dyshimta të dhëna prej saj, nëpërmjet një procedure që do t’i klasifikonte të gjitha ato si të kundërligjshme, që kanë cenuar rëndë rendin publik e kushtetues në vend. Natyrisht që prokuroria duhet të mos ndalet, sipas meje, në këtë nismë, jo vetëm ndaj Enkelejda Hoxhës, por edhe ndaj pjesëve të tjera të zinxhirit që ende nuk janë zbuluar.

Prokurorët e çështjeve të “çuditshme”, psikologët dhe administratat e burgjeve që kanë dhënë referencat e tyre përkatëse, duhet të bëhen pjesë e zinxhirit hetimor. E po kështu, sipas meje, edhe përdorimi i mjeteve të posaçme dhe teknikave speciale hetimore duhet të praktikohen masivisht, edhe pse ato përgjithësisht mund të kenë qenë në dispozicion, por nuk janë përdorur.

Dihet se për një kohë të gjatë në Shqipëri drejtësinë e kanë vendosur dhe përfituar ata që kanë pasur para, pushtet dhe ishin pjesë e lidhjeve në sistemin e Enkelejda Hoxhës dhe sivëllezërve apo simotrave të saj. Arrestimi i saj bashkë me një duzinë personash, pjesë e zinxhirit të saj “të dhënies së drejtësisë”, është një rreze drite e shpresë që mund ta rishohim. Nëse i hedhim një sy listës së vendimeve të lirimit, nuk do shumë mend se përfituesit janë emra të njohur mirë si oligarkë të krimit të organizuar. Të gjithë të akuzuar si pjesë e grupeve të rrezikshme kriminale, të përfshira në një luftë me pasoja të përgjakshme me personazhet me të cilët janë përballur.

Një prej tyre, Lulzim Berisha, vetëm pak kohë pasi doli nga burgu, u përfshi në një tjetër hetim të policisë dhe prokurorisë, që kishte të bënte me shantazhimin për zhvatje të pasurisë së një grupi biznesmenësh të tregtisë së karburanteve në Durrës. Më tej historia mori erë edhe më tepër, kur me vendim të SPAK-ut, Lulzim Berisha u shpall në kërkim si pjesë e grupit të personave të përfshirë në atentatin dhe vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005, një ditë pasi grupi i tij kishte ekzekutuar Klodian Saliun në afërsi të Maminasit. Nëse rendisim emrat e tjerë, disa mund të jenë harruar për publikun me kalimin e viteve, por për gazetarët, policët, gjytarët dhe prokurorët e ndershëm vështirë se ndodh. Indrit Dokle, i akuzuar për disa vrasje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, brenda më pak se dy vitesh përfitoi ulje dhe njohje vitesh burgu, ndërkohë që ishte dënuar me vendim të formë së prerë me burgim të përjetshëm. I njëjtë qe skenari edhe për Genc Tafilin, të akuzuar për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Arjan Paja, i njohur si UFO, për arratisjet spektakolare të tij në Itali, i dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë të një oficeri policie, që vetëm fati e shpëtoi nga vdekja në vitin 2008. Nën shembullin e këtyre personazheve të krimit, edhe të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm apo me dënime të rënda nisën të kërkonin transferimin e vuajtjes së dënimit në “parajsën e sigurisë së lartë” në Fushë-Krujë, ku duhej të gjenin “momën”, Enkeljeda Hoxha.

Gerti Gjenerari, po ashtu nën këtë rrugë fitoi lirinë, edhe pse vuante një dënim me burgim të përjetshëm. Zani Çaushi e Arben Grori, Gazmend Braka e të tjerë thuajse ishin në realizimin e kësaj ëndrreje.

Për fat të mirë, ndërhyrja e fundit e SPAK-ut anuloi lirimin nga burgu të një tjetër personi të akuzuar për vrasje, ndërsa gjyqtares këtë herë i doli rruga bosh për të shtuar pasurinë e saj në rrugën që kishte zgjedhur. Por duhet theksuar se rrugën që ndiqte Enkelejda Hoxha, me kohë kishin nisur ta shfrytëzonin edhe gjyqtarë dhe prokurorë në gjykata e prokurori të tjera të vendit. Sigurisht që edhe vendime të tilla, ku pjesë janë bërë Shërbimi i Provës, elementë nga sistemi i burgjeve, mjekësia e me radhë duhet medoemos të rishqyrtohen dhe të rikthehen pas hekurave një grup personash të një kalibri të rëndë kriminal.

Gjithses arrestimi kësaj gjyqtareje mund të thuhet se është hapi i parë për bllokimin e fenomenit të hapjes së dyerve të burgjeve me ligj për autorë vrasjesh, maskarash trafikantë droge e të tjerë të dënuar për vepra penale të rënda. /abcnews.al