Lezhë, arrestohen autorët e dyshuar të tentativës së vrasjes

schedule22:42 - 6 Shtator, 2018

schedule 22:42 - 6 Shtator, 2018

Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy autorët e dyshuar të plagosjes së ndodhur dje në Shënkoll ndaj  Martin Dodës. Policia njofton se është arrestuar Petrit Lleshi, 33 vjeç, banues në Tale dhe Dritan Ndoj alias Zef Boci, 39 vjeç, banues në Ishull Shëngjin – Lezhë.

Doda u sulmua me armë zjarri nga dy bashkëfshatarët e tij pas një konflikti për tokën. Policia i ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tyre.

Njoftimi i Policisë Lezhë

Pas një ndjekje të pandërprerë nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Lezhë, në kohë rekord arrestohen autorët e dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetasit M.D., ndodhur në Shënkoll ditën e djeshme.

Nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Lezhë, falë një pune të mirëorganizuar operacionale, në ndjekje të pandërprerë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Petrit Lleshi, 33 vjeç, banues në Tale – Lezhë (ai ishte arrestuar edhe më datë 18 Gusht 2018, sepse gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën bimë të dyshuara narkotike kanabis sattiva dhe në datë 22 Gusht 2018, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë për të caktoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

– Dritan Ndoj alias Zef Boci, 39 vjeç, banues në Ishull Shëngjin – Lezhë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohen si autorët të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetasit M.D. 33 vjeç, banues në Tale, ndodhur në Shënkoll ditën e djeshme.

Materialet proçedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprat penale parashikuar nga nenet 78-22 dhe 278 të Kodit Penal.