Gazetari Erl Murati e cilëson si lajm të mirë faktin që fushata e partive politike po zhvillohet e qetë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
I ftuar në studion e ABC, me Juli Xhokaxhi, gazetari thekson se lënia për në moment të fundit nga ana e Partisë Deomkratike për prezantimin e kandidatëve është taktikë e zgjedhur nga Lulzim Basha. Sipas tij, PS nuk po bën ndonjë gjë të jashtëzakonshme në këtë fushatë, ndërsa betejën e ka të fokusuar tek pandemia dhe rindërtimi.
“E ka lënë për momentin e fundit prezantimin e kandidatëve. I takonte asaj që të bënte një hap taktik. Dy kuajt e betejës është menaxhimi i pandemisë dhe rindërtimi. Dy çështjet kryesore të mazhorancës. Ndërkohë që opozita ka zgjedhur ekonominë.
Tek PS nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme ndryshe nga zgjedhjet e kaluara. Fushata është e qetë nuk ka acarim. Është lajm i mirë që situata në këto zgjedhje ndryshe nga të kaluarat është e qetë. Do të shkojmë në një fushatë normale. Është normale që kryeministri të jetë më i dukshëm”, tha Murati.
Por, si po luan Rama me emrat dhe afrimin e figurave të njohura? Lidhur me këtë gazetari shprehet se afrimi i Luljeta Bozos dhe Najada Çomos është lëvizje e zgjuar, operacion imazhi dhe propagandistik.
“Besoj se në përgjithësi emrat pak a shumë kanë dalë në shtyp. Në pamje të parë në dy kampet nuk kemi surpriza të mëdha. I kanë qëndruar besnikë përfaqësuesve dhe funksionarëve partiakë. Këto emrat e nderuar Bozo dhe Çomo janë përjashtime. Kjo është lëvizje taktike e zgjuar e Edi Ramës. Këto dy figura kanë qenë përfaqësuese të kësaj beteje që është rindërtimi dhe pandemia. Rama bëri një lëvizje të zgjuar që dy figura simbolike i rreshton pranë vetes. Është operacion imazhi, propagandistik. Mund të funksionojë. Përtej dukjes është mirë se më mirë të kesh në parlament këto dy emra se ato që kanë qenë më herët në Kuvend. Hyrja në Parlament e tyre i bën nder. I përdor Rama për të marrë vota, kjo deri diku është e kuptueshme”, tha Murati.
Më tej gazetari ka komentuar edhe pozicionin e Presidentit Ilir Meta, ndërsa thekson se basti më i madh në këto zgjedhje është për Lulzim Bashën.
“Presidenti është zhveshur nga kompleksi i të qenurit mbi palët. Ai ka hyrë në një përballje direkte me Ramën dhe nuk e ka fshehur këtë gjë. Meta ka bërë thirrje publikisht për rrotacion. Unë besoj se kjo është një rrjedhë normale e përballjes 20-vjeçare mes këtyre dy individëve. Në momente të caktuara kanë bërë luftën dhe në momente të caktuara dashurinë.
Basti më i madh është për Lulzim Bashën. Nëse ai humbet zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i PD”, u shpreh Murati. g.v/abcnes.al