Referendumi në Maqedoni në 30 shtator

schedule12:50 - 5 Shtator, 2018

schedule 12:50 - 5 Shtator, 2018

Në prag të referendumit të 30 shtatorit për çështjen e emrit në Maqedoni, vendi ballkanik është në vëmendje të diplomacisë europiane dhe më gjerë. Sot në Shkup mbërrin për vizitë sekretari i pergjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ndërsa në fundjave do të shkojnë kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë.

Bashkimi Evropian intensifikon aktivitetet në mbështetje të Maqedonisë për referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen me Greqinë, që parashikon zgjidhjen e çështjes së emrit. Me këtë marrëveshje zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, pasi me zgjidhjen e çështjes së emrit, Greqia më nuk do t’i vendosë veto Maqedonisë për anëtarësimin në këto dy organizata.
Të mërkurën në mbrëmje në Shkup pritet të arrijë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel, vizita e së cilës vlerësohet si historike për autoritetet e Maqedonisë.
Gjermania konsiderohet si një nga shtetet që më së shumti ka mbështetur zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë si dhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, tha se në fokus të vizitës së Angela Merkel do të jenë zhvillimet rajonale dhe çështjet bilaterale. Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është e dyta brenda këtij viti. Jens Stoltenberg edhe këtë herë pritet të rikonfirmojë mbështetjen e Aleancës që Maqedonia të bëhet shteti i 30-të i saj, por që kjo të bëhet, kreu i Aleancës do të kërkojë që referendumi të ketë sukses. Mbështetje për referendumin Maqedonia ka marrë edhe nga Austria, e cila aktualisht kryeson me Bashkimin Evropian. Edhe pse në opinion njihet si mbështetës i politikave të qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, tani kancelari austriak, Sebastian Kurz ak bërë të ditur se mbështet Marrëveshjen e Prespës, ndërsa gjatë vizitës së fundit në Vjenë të kryeministrit aktual, Zoran Zaev ai tha se “marrëveshja paraqet hap vendimtar në procesin e afrimit të Maqedoninë në Bashkimin Evropian”.

Vizita e liderëve europianë vijnë në një moment kur partitë në Maqedoni kanë intensifikuar fushatën për referendumin e 30 shtatorit. Partitë në pushtet, por edhe disa parti tjera jashtë parlamentit po zhvillojnë aktivitete për të bindur qytetarët se “mbështetja për Marrëveshjen me Greqinë dhe suksesi i referendumit janë mundësia e vetme për të ardhmen evropiane të vendit”. Opozita, nga ana tjetër, kundërshton Marrëveshjen me Greqinë duke e quajtur “kapitulluese për vendin, gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase”, por ajo deri më tani nuk ka dalë me qëndrimin nëse do të bojkotojë referendumin apo do të ftojë qytetarët që të votojnë kundër./abcnews.al