Alba Bajraktari
“Ose je me mua, ose je kundra meje”. Ky parim i lodhur. Shpesh ka më tepër ngjyrime se kaq. Për shembull mund ta nisim nga fakti se brenda së njejtës partie politike lufta është e egër dhe e pamëshirshme kundrejt njëri tjetrit.
Kjo është e pashmangshme pasi shpejt vëmendja shkon tek posti që do t’i atribuohet dhe nuk mendoj se po them ndonjë gjë të re, kur theksoj se rastësia nuk ka vend në këtë të fundit. Prandaj ushtarët duhet të jenë aty në vijën e parë të betejës.
Por cilët ushtarë ? Ata joshës, por jo udhërrëfyes ? Apo ata tepër fëmijënorë në politikë pavarësisht viteve brenda politikës ? Fëmijënorë sepse veprojnë sipas qejf-mbetjeve. Politika është suksesi i grupit dhe nuk ka grup të funksionojë pa kompromis.
Nuk ka bashkëpunim pa kompromis. Por, nuk quhet kompromis kur e vetmja mënyre për të mbeshtetur është kur të miklohet dëshira plotësisht.
Pastaj, menaxhimi i elementëve brenda grupit është gjenialiteti i liderit. Një drejtues grupi politik i aftë e përdor kundërshtinë brenda grupit për mirëfunksionimin e tij. Ai i vendos dy kundërshtarë të fortë brenda grupit në pozicione të tilla që të kontrollojnë njëri tjetrin. Duke mos i lënë shteg gabimit të asnjërit për shkak të konkurencës reciproke, në këtë mënyrë puna e prodhuar do të jetë pranë perfektes.
Jemi larg kësaj skeme, larg këtij diskutimi. Mbase kolektivi komunist ka lënë vraga të thella të shfaqura në ekstreme të ndryshme. Disa i ka kthyer në individualistë të pashoq, joshës absolut drejt vetes, që nuk disponojnë kurrëfarë empatie grupi, vetëm bëjnë sikur.
Pse në momentin kur kryeministri i vendit është i gjithëpushtetshëm e gjetën një pjesë e mirë të kritikojnë kryetarin e opozitës ? Ka një kohë për gjithçka. Sigurisht që ka shumë për të folur për çfarë nuk shkon, për të kritikuar në pafund dimensione. Të shtjellojmë ku çalon e gjitha, të vlerësojmë një nga një parimet e legjitimitetit të domosodoshëm për liderin politik. Por a është ky momenti ?
E them këtë pasi përballë kemi pushtet të centralizuar në një dorë. E vetmja mënyrë për të humbur pushtetin në këto kushte është gremina ku e shtyjnë limitet e shterimit të forcës së arsyes vetë individin e pushtetshëm. Pjesa më e madhe e carëve rus, e Romanovëve përfundonin në çmenduri, rrjedhë e menaxhimit të pushtetit absolut prej vitesh e vitesh. Është fat i provuar nga historia. Plaken dy dekada për çdo mandat (drejtuesit e shtetit, jo carët rus).
Ndërkohë edhe socialistët janë lodhur, u dridhet dora t’ja japin përsëri votën. Kaq shumë është mbushur kupa, sa e kuptojnë se të votojnë sërisht njësoj do të thotë të shkelin dinjitetin e qenies së vet. Për ata që s’e kanë djegur akoma flas. Por, gjithësesi do ta superojnë veten e do ta japin atë të shkretë votë, në mëngjes herët për të shmangur rradhën te njësia vet.
Cfarë do të thotë kjo ? Që do të fitojë sërisht një mandat të tretë ? Shumë mund të më përgjigjen, « s’e ke mirë ». Jo pra, e ke gabim se tre mandate në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk na lënë « ndërkombtarët ». Ose ndryshe, shqiptarët votojnë kundra, se ja në 2013 votuan kundra edhe ne 2005-ën, prandaj përsëri kundra do të votojnë.
Në radhë të parë për cilët ndërkombëtarë flasim ? Për ata që nuk po dinë si të sillen me covid-in që nga pandemi u kthye në endemi ? Për Bashkimin Evropian të fokusuar në fuqizimin e pozicionit të vet gjeopolitik në një moment delikat të vetin apo për Amerikën e përçarë që ka interesa të mëdha për të organizuar e përshtatur ?
Këtyre ndërkombëtarëve u duhet vetëm një kryeministër në Shqipërinë tonë të vogël, një i bindur. E nuk mendoj se i mësoj kujt diçka të re kur them se të dy do të jenë të bindur. Për sa kohë është kështu, ka vetëm një parim për ndërkombëtarët « fitoftë më i miri ».
Kurse sa i përket votës kundra do të shprehem njëherë tjetër sepse nuk është ky momenti i duhur. Historia përsëritet, por kjo varet nga ndryshimet e skenarit.
Shqipëria nuk mund tu ngjasojë diktaturave afrikane. Por drejt kësaj rruge po përparojmë e do të vazhdojmë për sa kohë do të tkurremi në interesin vetiak kaq ngushtësisht e plogësisht njëkohësisht.