Ina Zhupa ditën e sotme zhvilloi një takim me banorë të Kombinatit, në një prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti.
Sipas saj pallati është rrënuar nga Bashkia Tiranë pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak, ndërsa thekson se banorët kanë mbetur në mes të katër rrugëve pasi shteti nuk po u jep zgjidhje për strehimin e tyre në bazë të vlerës së pronës së apartamentit që kishin.
“Na kanë kërkuar dokumentet dhe tapitë për të vlerësuar nëse pallati do të rindërtohet apo do të ndërtohet diku tjetër. Na është thënë më 7 janar se pallati do të prishet. Do të largoni orenditë shtëpiake dhe ta boshatisni. Nuk na është dhënë asnjë vendim. Ky është cënim i të drejtave të njeriut, i të drejtës mbi pronën, i të drejtës themelore që ka njeriu, për shtëpinë. Ne nuk kemi një dokument ku ne kemi firmosur, ndërkohë po përfitojnë banorë të pallateve që nuk janë prishur”, thotë një banore.
Ndërkohë Zhupa e konsideroi rast skandaloz, ndërsa thekso se ligji shkelet me të dyja këmbët dhe se shteti shkatërron në mënyrë barbare banesat e qytetarëve, pa asnjë vendim ligjor.
“Ky pallat sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nuk është shembur akoma, ndërkohë që ne jemi në rrënojat e tij. Shteti ligjor me Edi Ramën dhe me Erjon Veliajn, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, nuk funksionon.
Ata nuk duan t’ia dinë për ligjet, nuk duan t’ia dinë për jetën e qytetarëve, nuk duan t’ia dinë për strehimin e qytetarëve, duan vetëm të bëjnë propagandë, të fillojmë që këtu po shembet dhe gjoja po punohet në Kombinat.
Duan vetëm të tregojnë që ata e meritojnë mandatin e tretë ndërkohë që nuk kanë punuar asnjë ditë për qytetarët, por vetëm për veten e tyre, një grup oligarkësh dhe klientë të pushtetit. Më 25 prill i kthehemi edhe një herë shtetit ligjor dhe me 25 prill qytetarët e Kombinatit do të votojnë për të humbur Rama dhe për të fituar Tirana dhe për të fituar e gjithë Shqipëria”, tha Zhupa..
/abcnews.al/

