Florian Marku triumfoi mbrëmjen e djeshme kundër Rylan Charlton dhe synimi i tij është të përballet me Connor Ben, djalin e Nigel Benn, një ish-kampion bote në boks. Conor, i njohur me nofkën “Shkatërruesi”, ishte mbrëmë në sallë dhe e ndoqi nga afër Markun.
Ky i fundit nuk ngurroi ta sfidonte, duke deklaruar për Sky Sports pas ndeshjes: “Sot i jap vetes notën 7, për shkak te nokdaunit. Kundërshtari kishte shumë fuqi, e uroj edhe njëherë. Connor Ben nuk ka marrë kurrë të tilla rriske. Kam luftuar për 10 vjet rresht në Greqi më të mirët, ndërsa ai ndeshej me boksierë me tetë humbje. Ai është frikacak, nuk do të ndeshet me mua”.
Connor, i cili po priste në mikrofon të fliste, u mundua ta anashkalonte me klas Markun. “Ai mund të thotë ç’të dojë, mund të më quajë frikacak e të thotë të tilla fjalë, por jam shumë përpara tij. Duele të tilla si ky i Markut i kam bërë me kohë. Ai sot u ndesh me një kundërshtar të një peshe më të ulët dhe madje u rrëzua prej tij.
Po shoh objektiva shumë më të mëdhenj. Unë sapo kam mundur një ish-kampion bote si Sebastian Formella, ndërsa tani do kem përballë një boksier si Samuel Vargas, i cili ka boksuar me boksierët më të mirë të kësaj gjenerate”, u shpreh Conor Benn. /abcnews.al