Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur gjendje të katastrofës së madhe në Teksas, për të mundësuar ndarjen e më shumë fondeve federale si ndihmë për këtë shtet.
Energjia elektrike po kthehet gradualisht në këtë vend dhe temperaturat po rriten, mirëpo rreth 13 milionë banorë vazhdojnë të kenë vështirësi për t’u qasur në ujë të pastër.
Biden ka thënë se do të vizitojë Teksasin nëse prezenca e tij nuk është barrë, ndërkohë që po bëhen përpjekje për ndihmë.
Në gjithë Shtetet e Bashkuara është raportuar për gati 60 persona të vdekur si pasojë e motit të ftohtë.
“Ndihma mund të përfshijë grante për strehim të përkohshëm dhe rregullime të shtëpive, hua në shuma të vogla, si dhe të mbrojë humbjet tjera”, është thënë në deklaratë.
Presidenti Biden ka qenë në kontakt edhe me kryetarët e disa prej qyteteve më të mëdha në Teksas, si Hjuston, Austin dhe Dallas, për t’u siguruar se ata kanë qasje në burime qeveritare, ka thënë një zyrtar i administratës.
Shumë shtete tjera jugore janë goditur po ashtu nga bora dhe stuhia e akulltë këtë javë, çka ka rezultuar me mungesa të ujit.
Përgjatë jugut të Shteteve të Bashkuara, rajon që nuk është mësuar me temperatura kaq të ulëta dhe ku rezervuarët e ujit janë ngrirë, banorët kanë shkrirë borën për të fituar ujë./REL