Juventusi shkoi si superfuqi në Porto dje, por rezultoi krejt ndryshe dhe doli i mundur nga “Estadio do Dragao” me shifrat 2-1. Pas asaj paraqitje të dështuar nuk kishin si mungonin kritikat nga opinionistë dhe njerëz të shquar të sportit në Itali.
Mes kritikëve vendoset edhe Massimo Brambati, ish-lojtar i një sërë skuadrash në Serie A dhe menaxher lojtarësh. Ai e cilëson Pirlon si jo të duhurin për të drejtuar Juventusin dhe flet për Haaland, për të cilin shprehet se Juve duhet ta kishte marrë që kur ishte te Salzburg në Austri.
“Haaland përfaqëson gabimin e madh të Juventusit, që nuk e bleu atë. Raiola (agjenti i sulmuesit) i ka dhënë Juves një mundësi, me një klauzolë jo shumë të lartë të lirimit. Duke u kthyer në ndeshjen kundër Portos, Juve për mendimin tim nuk ka një trajner në stol.
Ka një futbollist të shkëlqyer, i cili është ulur në stolin më të rëndësishëm në Itali. Në Europë duhet të kesh shumë eksperiencë për të arritur diçka. Për të ndihmuar të rinjtë të rriten, unë do të thirrja dikë tjetër dhe jo Pirlon.
Dikë që ka eksperiencë dhe di të merret me djem të rinj e të menaxhojë kampionë. Ndoshta në dy vite ai do të jetë një nga trajnerët më të mirë në botë, por sot Pirlo nuk është. Goli i parë është i pabesueshëm. Bentancur nuk duhet të kishte qenë atje.
Çdo trajner sheh të metat e ekipit. Nëse ai pa disa mangësi në mesfushë, duket t’i kishte rregulluar ato. Një teknik duhet t’i japë identitet skuadrës. Nuk shoh ndryshim me atë që bëri Sarri vjet”, u shpreh Brambati. /abcnews.al