Nga Esiona Konomi
Aplikimi për herë të parë i listave të hapura, ku votuesi do të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe kandidatin që do, ka krijuar një përplasje mes palëve se si duhet të jetë fleta e votimit.
Damian Gjiknuri shpjegon për ABC se PS preferon këtë fletë votimi, ku zgjedhësi voton fillimisht partinë, dhe më pas një numër anash, që i korrespondon kandidatit të preferuar të partisë të zgjedhur në të majtë.
Por Oerd Bylykbashi kërkon domosdoshmërisht emra në fletë votimi, siç është ky model i Holandës, edhe pse fleta jonë do të jetë dukshëm më e vogël. SINK
“Një kolonë mund të ishin partitë politike dhe subjektet, kolona apo blloku tjetër mund të ishin qartësisht numrat ku partitë identifikojnë kandidatët me lista që janë publike”, tha Damian Gjiknuri për ABC.
“Në këtë moment, PS po përpiqet t’i imponojë KQZ-së që fleta e votimit të ketë numra. Është përpjekje për ta shifruar listën e hapur, për t’ua bërë shqiptarëve akoma më të mbyllur atë që ne kërkuam të ishte një listë realisht e hapur”, u shpreh demokrati Oerd Bylykbashi gjatë një interviste për ABC.
“Nëse emrat janë të shkruar në një mënyrë të tillë që nuk i lexon njeri, apo do të ishte fleta e mbushur me shumë zgjedhje brenda një kolone shumë të ngushtë, atëherë do të kishim një konfuzion shumë të madh dhe do të kishim probleme me vlefshmërinë e votës”,argumenton Gjiknuri.
Por këto argumente nuk pranohen nga Bylykbashi:
“Po ju jap shembullin e Holandës, e cila edhe pse ka një model propocional kombëtar, në fletën e votimit, një parti ka të gjithë listën e kandidatëve të saj për parlamentin holandez. Janë të gjithë me emra, po kështu është edhe në Belgjikë, apo thuajse në të gjitha vendet ku aplikohen listat e hapura. Të rralla janë rastet kur përdoren numrat”.
“Këtu kemi një problem nëse do të kemi shumë subjekte zgjedhore të regjistruara, dhe problemi psh del në qarkun Tiranë që secila parti duhet të ketë nga 36 emra, se aq është numri i kandidatëve sipas mandateve, dhe kjo do ta bënte të vështirë nga pikëpamja e administrimit”, këmbëngul socialisti Gjiknuri.
“Nuk duan që Shqiptarët të kenë mundësinë të votojnë potencialin e kandidaturave të opozitës, që nuk ka asgjë që të krahasohet me të korruptuarit që kandidojnë ata. Duan të fshehin pas numrave të korruptuarit dhe kriminelët e tyre”, shton Bylykbashi.
Për tu miratuar modeli i fletës së votimit në KQZ duhet konsensus mes palëve. Nëse ai mungon, çështjen do ta zgjidhë kolegji zgjedhor. Ndërkohë të dy palët bien dakord se emigrantët nuk do të votojnë as në këto zgjedhje.
“Bllokimi i votës së emigrantëve ndodh nga dështimi i qeverisë për të regjistruar emigrantët. Janë vetëm 800 vetë dhe nuk mund të funksionojë sistemi me kaq”, argumenton përfaqësuesi i opozitës Oerd Bylykbashi.
Por Gjiknuri mjaftohet edhe me kaq: “E rëndësishme është që platforma të fillojë, edhe me pak, edhe me 800. Aq më mirë që janë pak sepse hiqen dyshimet se mund të ndikojë rezultatin zgjedhor”.
“Blloko votën e emigrantëve që të bllokohet sa më shumë mundësia e një rotacioni”, tha Bylykbashi.
“Le ta trajtojmë si projekt pilot kësaj radhe, dhe le ta shtrijmë në zgjedhjet e tjera në një shkallë më të gjerë”, përfundon Gjiknuri.
Ligji për regjistrimin e emigrantëve u miratua në vitin 2016, por vetëm 4 vjet më par qeveria hapi portën në e-albania që ata të mund të regjistroheshin.