Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimin ndaj kompanisë “Geci” që mirëmban superstradën Milot-Balldren.
Burimet tregojnë se hetimi filloi pas bllokimit të mjeteve në këtë rrugë mbrëmjen e se shtunës deri në orët e para të mëngjesit të së dielës për shkak të mospastrimit nga dëbora.
Pritet që organi i akuzës të administrojë dokumentacionin e kontratës së lidhur mes kompanisë “Geci” dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, për të parë nëse ka elemente të veprës penale.
Të shtunën në mbrëmje policia e Lezhës nisi një procedim për kompaninë Geci, për shkak të kësaj situate të paprecedente.
Qindra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugën Milot-Balldren, pasi mjetet e tyre u bllokuan për shkak të borës në këtë aks. Të tjerë qytetarë devijuan dhe përdorën rrugën e vjetër për të vijuar udhëtimin, pas shumë orësh qëndrimi në të ftohtë, pa ujë dhe ushqime.
Kompania Geci duhet të mirëmbajë rrugët e Rajonit Verior nga Shkodra në Kukës ku bën pjesë dhe aksi Milot-Lezhë nga 2017 deri në 2022. Ndërsa fondi që ka përftuar është mbi 21 milionë euro./ Abcnews.al