Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e sotme vendosi që të shtynte për në datë 25 shkurt vendimin pas kërkesës së ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha e arrestuar pak ditë më parë. Pavarësisht se vetë Hoxha kishte kërkuar që të ishte e përfaqësuar nga avokati, ky i fundit u shpreh sot se magjistratja duhet të jetë vetë në seancë. “Gjyqtarja duhet të jetë vetë e pranishme” tha ai sot ndër të tjera.
Gazetarja e ABC, Glidona Daci ka siguruar dokumentet e letërkëmbimit mes institucioneve, KLGJ-së dhe Drejtorisë së Burgjeve për ta lejuar gjyqtaren që të ishte e pranishme në seancë, por Enkelejda Hoxha vendosi që të mbrohet nga avokati, Ardian Visha.
Tashmë që avokati kërkoi që Hoxha të ishte vetë e pranishme, procedura e kërkesës së KLGJ-së për “Burgjet” për ta lejuar që të jetë e pranishme do të përsëritet dhe në datë 25 shkurt gjyqtarja sipas të gjitha gjasave do të jetë në seancë. Enkelejda Hoxha u prangos me urdhër të SPAK (lexo ketu) bashkë me 9 persona të tjerë, mes tyre dhe avokati Aldo Tabaku./ db/ Abcnews.al