Parkimi i makinave është një stres më vete. Po në Berat këtij problem është gjetur zgjidhja. Prej muajit janar ka nisur puna për ndërtimin e një parkimi publik nëntokësor. Kryetari i Bashkisë Ervin Demo tregon për kapacitetet dhe aksesueshmërinë e tij.
“Parashikon 200 mjete është një projekt që përmirëson aksesin në qytete, lehtësi për ata që duan të parkojnë. Është i aksesueshëm nga të dyja rrugët, Antipatrea, por edhe nga rruga buzë Lumit Osum. Është një parkim që hap përsëri një mundësi zhvillimi për të gjithë ato subjekte që janë duke u kthyer në hotele dhe për banorët e asaj zone”, tregon Ervin Demo.
Ky parkim vjen dhe si kërkesë e operatorëve turistikë por dhe e qytetarëve të Qarkut të Beratit. Vendndodhja e tij do të jetë shumë pranë institucioneve ku këta të fundit marrin shërbime.
“Nga ballafaqimi që ne kemi me operatorët turistik, një nga problemet që ata ngrenë për qendrën e qytetit është patjetër problematike janë edhe parkimet. Dhe kjo ndodh në të gjitha qytetet muzeale ku ka një fluks po e quajmë turistësh që vizitojnë qytetin dhe një pjesë vijnë me mjete.
Vetë zona ku shtrihet parkimi është një qendër administrative jo vetëm për qendrën e Beratit, por është një qendër administrative për të gjithë qarkun. Ku janë institucionet kryesore, ku qytetarët marrin shërbime”
Parkimi i mjeteve nën tokë zgjeron dhe fushëpamjen e këtij qytet muze, të mbrojtur nga Unesco. Punimet do të përfundojnë në fund të korrikut, kur kulmojnë dhe turistët.
Parkimi po ndërtohet nga Fondi Shqiptar I Zhvillimit me vlerën 322 milionë lekë./abcnews.al