Kina është gjithnjë e më larg mediave perëndimore që duan ta tregojnë lirisht. Qeveria e Pekinit deklaroi se i ka hequr licensën BBC world, kanalit ndërkombëtar të radiotelevizionit publik britanik, i konsideruar një nga burimet më të paanshme dhe të mira të informacionit në botë. Agjencia qeveritare kineze që rregullon transmetimet televizive, bëri të ditur se ka marrë masa për shkak të shkeljeve serioze të kryera nga BBC, në raportimet e saj për Kinën. Mes të tjerave dhe impenjimin e saj për të përhapur lajme që dëmtojnë interesat kombëtare dhe minojnë unionin kombëtar.
Gjatë natës së të enjtes dhe Hong Kong ka pezulluar transmetimet e televizionit britanik. Transmetuesi publik në vend sqaroi se vendimi ishte marrë pas masës së Pekinit.
Dhe pse nuk u theksua, kjo censurë ndodh pak ditë pas transmetimit të një hetimit të televizionit britanik për përdhunimin e shumë grave ujgure, etnia turkofone e fesë islamike që jeton në veri perëndim të Kinës.
Ato janë të burgosura në kampet e riedukimit, dhe kjo situatë ka qenë kohët e fundit në qendër të kritikave të perëndimit kundër Pekinit. Akuza që u rinovuan dhe njëherë më shumë nga presidenti amerikan Biden në telefonatën e tij të parë me homologun kinez Xi.
Vendimi i Pekinit duket si hakmarrje pas heqjes së licencës së China Global Television Network, dega ndërkombëtare e televizionit shtetëror kinez, që transmetonte në Mbretërinë e bashkuar, vetëm pak ditë më parë.
Masa u mor nga agjencia britanike që menaxhon sektorin e transmetimeve, pasi një hetim konfirmoi se licenca mbahej në mënyrë të paligjshme nga një tjetër shoqëri kineze, Star China Media. Iniciativa e autoriteteve britanike bën pjesë në një plan më të qartë të Boris Johnson për të denoncuar Pekinin për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të kaluarën kryeministri britanik ka qenë më i mënjanuar ndërsa tani është i vendosur për tu bërë një nga aleatët kryesor të Uashingtonit në sfidën për dominimin global dhe demokracinë.
Kthesa shkaktoi reagimin e Pekinit, i cili pezulloi transmetimin e BBC. Një sinjal për Londrën dhe të gjitha mediat perëndimore që po përpiqen të hetojnë për fatin e ujgurëve dhe veprimeve të tjera force të Kinës. 50 vjet pas hapjes së Niksos ndaj Mao-s, Kina duket sërish larg. Dhe ta tregosh këtë pa censurë rrezikon pasoja të menjëhershme./abcnews.al