Për ndarjen nga jeta të senatorit amerikan Xhon Mekein ka reaguar dhe Tirana zyrtare. Nëpërmjet postimeve ne rrjetet sociale, kreu i shtetit, ai i qeverisë, kryediplomati dhe kreu i opozitës shqiptare përcollën ngushëllime për humbjen e mikut të Shqipërisë. Në mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta thekson se Mekein i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan, duke qenë një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO.
Ndërsa kryeministri Edi Rama thekson në mesazhin e tij se Senatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qënien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Rama thekson se ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin ka bashkëpunuar e ndarë mendime të njëjta. Të njëjtin vlerësim ka dhënë dhe ministri për Europën dhe punët e Jashtme Ditmir Bushati, i cili thekson se vdekja e senatorit Xhon Mekein ka sjellë humbjen e një heroi amerikan frymëzues që luftoi për liri dhe ishte shembull i vendosjes së interesit publik në radhë të parë dhe mbrojtës i tij.
Për ndarjen nga jeta të John McCain ka reaguar dhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e cilësoi senatorin e ndjerë si një luftëtar të pamposhtur për kauzën e lirisë dhe një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. /abcnews.al