Rakitic: Papu Gomez super blerje, s’festoj ndaj Barçës. Messi? Lëreni të qetë

schedule20:37 - 9 Shkurt, 2021

schedule 20:37 - 9 Shkurt, 2021

Ivan Rakitic ka prekur disa tema gjatë prononcimit të fundit. Sevilla po kalon një moment të mirë, teksa mesfushori kroat vlerëson drejtuesit e klubit për blerjen e Papu Gomez nga Atalanta. Ekipi andaluzian pret nesër në shtëpi Barcelonën, sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit.

Një përballje kundër së kaluarës dhe nënkampioni i botës thekson për AS se nuk do të festojë nëse ia del të ndëshkojë ish-shokët e tij. “Urime klubit për blerjen e Papu Gomez. Të gjithë jemi të lumtur që ai lojtar ndodhet këtu. Më pëlqen të luaj me të.

Barcelona? Jemi rritur shumë në ndeshjet e fundit dhe po kalojmë momentin më të mirë të sezonit. Kam kaluar 6 sezone te Barça dhe kjo është një ndeshje e veçantë për mua. E rëndësishme është të mos e humbasim nesër shpresën për fitore.

E dimë që duhet të luajmë dy ndeshje perfekte ndaj tyre, për t’i dhuruar tifozëve tanë finalen e Kupës. Nuk do festoj nëse shënoj. Vajza ime ka lindur në Barcelonë, kam shumë miq atje dhe tifozët më kanë dashur gjithmonë.

Messi? Leo tha se do e vendosë të ardhmen e tij në fund të sezonit, kështu që ta lëmë të qetë. Le të bëjë atë që i thotë zemra. Për të gjithë ne që e dashurojmë futbollin, rëndësi ka që Leo të transmetojë gëzim në fushë. Ai është rikthyer të buzëqeshë dhe Barça ka rilindur“, përfundoi Rakitic. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!