Nga Erblina Mile
Rishikohet buxheti 2021 vetëm pas një muaji pasi ka nisur zbatimin. Ky vendim ka thyer rekordet e viteve të shkuara duke rishikuar shifrat që në fillim të vitit. Vendimi është botuar në fletoren zyrtare dhe tashmë ka hyrë në fuqi. Mesa duket pavarësisht krizës së ardhur nga pandemia pritshmëritë e financave janë më optimiste për këtë vit duke rritur nivelin e të ardhurave që mendohet se do të vijnë nga tatimet. Pra në buxhetin e shtetit pritet të arkëtohen rreth 70 mln euro më shumë ose me një rritje prej 1.8%.Po ashtu ndryshime janë bërë edhe në nivelin e shpenzimeve që gjithashtu janë rritur.
Ndërkohë që shtesë fondi është parashikuar vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku është parashikuar një shtesë fondi prej 1 mld lekësh. Ky është akti i parë normativ për ndryshimin e buxhetit 2021, ndërsa buxheti i vitit të shkuar u ndryshuar 4 herë për shkak të pandemisë. Rishikimet e buxhetit brenda një vit janë kthyer në një problem serioz i cili është kritikuar nga ekspertët. Këto ndryshime vijnë si pasojë e përllogaritjeve jo të sakta të nivelit të ardhurave dhe shpenzimeve duke u detyruar që shpesh herë të ndërmerren shkurtime të fondeve ose rialokime.
TË ARDHURAT NË BUXHETIN 2021
Ishte 478 .9 MLD LEKË
Bëhet 487,5 MLD LEKË
Rreth 70 mln euro më shumë
SHPENZIMET NË BUXHETIN 2021
Ishte 587 .6 MLD LEKË
Bëhet 596.2 MLD LEKË