Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon të mbështesë idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke thënë se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe ish presidenti Rugova. Ndërsa përsëri kryeministri Haradinaj doli kundër tij.
Në Kosovë vijon debati i ndezur lidhur me propozimin e presidentit të vendit Hashim Thaçi për korrigjimin e territorit me Serbinë, temë të cilën do ta diskutojë në raudin e ardhshëm të dialogut në Bruksel. Pas kritikave dhe akuzave të shumta që mori për deklaratën se edhe ish presidenti Ibrahim Rugova mbështeste idenë e shkëmbimit të territorit, kreu i shtetit ka sjellë fakte konkrete. Thaçi ka publikuar një pjesë të shkëputur nga intervista e Rugovës dhënë në vitin 1994 për gazetën Zëri, në të cilën pranon se është e papranueshme ndarja e Kosovës, por mbështet shkëmbimin e territoreve me Serbinë.
“Me përjashtime të vogla, disa prej atyre që e promovojnë vetën si bashkëpunëtorë të Presidentit Ibrahim Rugova, po vërtetohet që atëherë, as nuk i kanë dëgjuar, as nuk i kanë kuptuar qëndrimet dhe deklaratat e tij. Së paku, le ta bëjnë një gjë të tillë sot”, shkruan Thaçi në facebook.
Ndërkohë lidhur me këtë çështje ka ndërhyrë përsëri kryeministri Ramush Haradinaj. Ai nënvizoi se Beogradi nuk do të lejojë që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e Kosovës.
“Çka po kujtojmë se krejt budallë jemi në këtë vend a, tash po ta fal dikush Preshevën a, këto janë pallavra”.
Në intervistën e dhënë për televizionin 21, shefi i qeverisë theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të trajtohen shumë mirë vetëm kur të forcohet Shqipëria dhe Kosova. /abcnews.al