“Re të zeza” mbi Donald Trump, rrezikon të humbasë pushtetin

schedule18:14 - 22 Gusht, 2018

schedule 18:14 - 22 Gusht, 2018

Shpallja fajtorë e dy ish-këshilltarëve pritet të krijojë probleme për presidencën e Donald Trump. Ndonëse u dënuan për krime financiare, rastet e Majkell Kohen dhe Pol Manafort rrezikojnë të dobësojnë pozitën e Trump dhe atë të republikanëve në zgjedhjet e Kongresit që mbahen në nëntor.

Presidenti Donald Trump mori një goditje të rëndë të martën, kur dy ish-këshilltarët e tij u shpallën fajtorë për një seri krimesh financiare. Por, ajo ç’ka e rëndon pozitën e presidentit është deklarata e njërit prej tyre, se Trump i kishte kërkuar të kryente një vepër penale, lëvizje kjo që ka gjasa të dobësojë figurën e tij në radhët e republikanëve dhe të zgjerojë më tej hetimin penal që ka errësuar presidencën në këto 2 vjet. Brenda pak minutash, por në gjykata të ndryshme, ish-menaxheri i fushatës së Trump, Paul Manafort u shpall fajtor për mashtrim dhe evazion fiskal, ndërsa ish-avokati personal i kreut të shtetit, Michael Cohen pranoi fajin për akuza të ngjashme. Burime nga administrata amerikane kanë deklaruar për “Reuters” se nga të dyja rastet, ai i Cohen duket se do t’i sjellë më shumë telashe presidentit.

 

“Është një ditë e keqe për të gjithë ekipin”, ka deklaruar burimi i afërt me shefin e Shtëpisë së Bardhë, por që ka kërkuar të mos identifikohet. Burimi ka nënvizuar se problemet ligjore mund të ndikojnë tek votuesit dhe të rrisin rrezikun që republikanët të humbasin mazhorancën me 23 ulëse më shumë në Dhomën e Përfaqësuesve, në zgjedhjet e nëntorit. “Kjo dëmton perspektivat tona afatmesme”, ka vijuar burimi. Dhe në fakt, një fitore eventuale e demokratëve në nëntor do të kufizonte pushtetin e Trump dhe do të rriste rrezikun për thellimin e hetimeve ndaj tij për çështjen “Russiagate”. Avokati i Cohen, Lanny Davis deklaroi të martën se klienti i tij ishte mëse i gatshëm t’i tregonte ekipit të hetuesve të Robert Mueller gjithçka di për presidentin Trump.

 

Demokratët reaguan menjëherë pas dënimit të Cohen dhe Manafort, duke deklaruar se rastet e tyre përforcojnë argumentet se presidenca Trump është e mbuluar nga skandalet. Për më tepër, kur gjatë seancës Cohen tha se Trump e kishte urdhëruar të paguante dy aktore që pretendonin se kishin pasur një aferë me të, në prag të zgjedhjeve presidenciale./abcnews.al