Avdullah Hoti premton pagë minimale 300 euro në Kosovë

schedule09:24 - 3 Shkurt, 2021

schedule 09:24 - 3 Shkurt, 2021

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, në prezantimin e programit për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka theksuar që prioriteti i parë do të jetë shëndetësia.

Hoti deklaroi se do të punojnë për vaksinim, dhe se do të fillohet me sigurime shëndetësore, premtim i kahmotshëm i të gjitha partive.

Prioritet i i dytë sipas Hotit, do të jetë arsimi. LDK-ja ka premtuar uljen e numrit të nxënësve në klasa.

“Ne zotohemi për investime në fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të rinj, bursa për talente, njohjen e punës vullnetare. Ne duam që të gjithë të shohin bukuritë dhe begatitë që ka Kosova. Do të zhvillojmë turizmin, të pavarësojmë institucionet e kulturës, të mbështesim artistët dhe ngjarjet kulturore”, ka thënë ai në prezantimin e programit të LDK-së.

“Do të mbështesim bujkun dhe prodhuesin me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje. Do të përmbyllim rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët dhe trajtimin e ujërave të zeza. Zotohemi të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike në afat rekord, që të evitojmë çdo burokraci ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Do të digjitalizojmë shkollat tona dhe do të mbështesim bizneset inovative. Prokurimi publik do të jetë plotësisht elektronik, transparent dhe me standarde të reja, ku shpërblehen firmat që punojnë, që respektojnë kontratat që kryejnë punët me cilësi. Odat dhe shoqatat profesionale do të marrin rol me ligj në zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale”, ka thënë Hoti, teksa ka shtuar se “Me partnerët tanë, do të sjellim gazin në Prishtinë dhe do ta lidhim Prishtinën me Durrësin me hekurudhë”.

Hoti gjithashtu ka paralajmëruar pagën minimale 300 euro pa dallim moshe, heqje të kufizimit prej 15 vitesh për pensionet kontributdhënëse, e për pensione jo nën pagën minimale nga viti 2023.

“Paga minimale do të jetë 300 euro pa dallim moshe. Zotohemi të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse. Nuk do të ketë pensione nën pagën minimale nga viti 2023.

Asistenca sociale do të bazohet në shpenzimet e jetesës”, u shpreh ndër të tjera Hoti.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!