Nga Liz Breen & Sarah Schiffling, The Week
Bashkimi Evropian ka një problem të madh me mungesën e vaksinave. Në fillim të këtij muaji, kompania AstraZeneca u zotua të furnizojë me 2 milion doza në javë Britaninë e Madhe, por ndërkohë ka deklaruar se do të shkurtojë dërgesat në BE, nga 80 milion në 31 milion doza gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Mbretëria e Bashkuar ka vaksinuar deri më tani më shumë se 11 për qind të popullsisë së saj. Vendet e BE-së si Italia, Polonia, Finlanda dhe Gjermania, kanë vaksinuar vetëm 2-3 për qind të popullsisë së tyre. Pas negociatave të tensionuara mbi Brexit, dhe kritikave që mori Mbretëria e Bashkuar për mospërfshirjen në skemën e BE-së për blerjen e vaksinave, ndryshimi që po ndodh është shumë i fortë.
Kuptohet që BE-ja është e interesuar të mos mbetet prapa në programin e vaksinimit, ndaj ka kërkuar nga Astra Zeneca që t’i jepen dozat e vaksinës së saj të prodhuara në Britaninë e Madhe. Nëse kontrata që BE ka nënshkruar me AstraZeneca,përmban angazhimin për të furnizuar me sasi të përcaktuara, apo është një pakt ku kompania angazhohet të bëjë “përpjekjen e saj më të mirë”, kjo është diçka mbi të cilën po debatohet ende.
Dhe mosmarrëveshja vazhdon. Detajet e kontratave ndërmjet prodhuesve të vaksinave, Britanisë dhe Bashkimit Evropian nuk janë në dispozicion të publikut, por ajo që dihet për zinxhirët e furnizimit të vaksinave, mund të shpjegojë disa nga arsyet e mungesës aktuale.
Problemi i menjëhershëm i deklaruar nga AstraZeneca, është një prodhim më i ulët se sa parashikohej në një fabrikë,në zinxhirin e saj evropian të furnizimit.
Kjo është diçka që mund të ndodhë, pasi vaksinat janë produkte biologjike komplekse: procesi i prodhimit, nuk jep gjithmonë të njëjtën sasi të vaksinave të përdorshme. Për më tepër, ka kontrolle të rrepta të cilësisë mbi to, për të siguruar që të gjitha dozat tëjenë të sigurta.
Nëse cilësia nuk është e duhur, më pak vaksina janë në dispozicion. Për kreun ekzekutiv të AstraZeneca, Pascal Soriot, zgjidhja e çështjes së rendimentit do të rrisë me shpejtësi prodhimin. Ai thotë se probleme të ngjashme kanë ndodhur edhe në fabrika të tjera në Australi, SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Sidoqoftë, ndërsa Britania e Madhe nënshkroi 3 muaj më herët kontratën e saj ndryshe nga BE, kompania kishte më shumë kohë në dispozicion për të zgjidhur të gjitha problemet e logjistikës. Por problemet e ndryshme mund të ndërpresin prodhimin.
Kështu, prodhimi i vaksinave në një fabrikë të AstraZeneca në Uells, u ndal për disa orë, pasi u hetua një sasi e caktuar vaksinash për efektivitetin e tyre. Ndërkohë, në Indi një
zjarr në Institutin Serum (prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, që ka licencë për të prodhuar vaksinën Oxford/AstraZeneca) shkaktoi vdekjen e disa njerëzve, por thuhet se ky incident nuk ndikoi tek prodhimi.
Për të dorëzuar miliarda vaksina në botë, kapaciteti i prodhimit duhet të jetë i madh. Por edhe rritja e tij mund të shkaktojë vonesa. Për shembull, Pfizer njoftoi një ulje të përkohshme të prodhimit të saj, në mënyrë që të zgjerojë kapacitet në një fabrikë në Belgjikë.
Fabrika belge është furnizuesja kryesore e vaksinave Pfizer/BioNTech për Kanadanë, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, gjë që tregon se sa të përhapura mund të jenë efektet e kësaj krize. Një mënyrë për të zgjidhur këtë problem, është rritja e kapacitetit përmes bashkëpunimit me konkurrentët.
Për shembull, kompania farmaceutike franceze Sanofi, ka njoftuar se do të prodhojë më shumë se 100 milion doza të vaksinës Pfizer/BioNtech. Pra ajo do të përdorë të gjithë kapacitetin e vet të prodhimit të Sanofit, edhe për shkak se vaksina e saj anti-Covid po has disa vonesa.
Një “bashkëpunim” i tillë – konkurrencë dhe bashkëpunim i njëkohshëm – nuk është i pazakontë në zinxhirët e furnizimit. Një mënyrë tjetër për t`a shtuar prodhimin është përdorimi i zinxhirëve rajonalë të furnizimit për të prodhuar dhe shpërndarë vaksina, me secilin që shërben vetëm në pjesë të veçanta të botës.
Mosmbështetja tek vetëm një zinxhir furnizimi mund t`a zbusë disi hezitimin e përgjithshëm të popullatës ndaj vaksinave. Nëse diçka shkon keq në një zinxhir furnizimi, të tjerët mund të funksionojnë akoma. Përhapja e prodhimit nëpër botë -pra ajo që ka bërë në fakt AstraZeneca – do të thotë gjithashtu një qasje më e lehtë në mjediset e duhura dhe një staf i trajnuar.
Gjithsesi, kjo strategji tani është në zemër të mosmarrëveshjes që ka kompania me BE-në. Brukseli po sugjeron që mungesa e rendimentit në një fabrikë belge të AstraZeneca, të kompensohet duke shpërndarë në union dozat e prodhuara në Britaninë e Madhe.
Por kjo do të nënkuptonte direkt pamundësinë e kompanisë për të përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj Britanisë. Për të shmangur këto lloj përplasjesh, vendet e tjera janë të interesuara që të ngrenë fabrikat e tyre të prodhimit të vaksinave.
Australia ka njoftuar se ka paguar një shumë ekstra për t`a prodhuar vaksinën AstraZeneca brenda vendit. Nga marsi i këtij viti, prodhimi në këtë vend pritet të jetë rreth 1 milion doza në javë. Por edhe prodhimi në vend nuk është fare pa probleme.
Brazili ka në plan të mbështetet kryesisht në prodhimin vendas, dhe ka një industri të fortë farmaceutike për t`a mbështetur këtë operacion. Por ai duhet të importojë përbërësit kryesorë, një proces që aktualisht pengohet nga burokracitë dhe çështjet teknike. Ndaj,do të detyrohet të mbështetet edhe për disa kohë tek zinxhirët e furnizimit diku tjetër – veçanërisht në Indi dhe Kinë.
Për momentin, kërkesa për vaksinat kundër Covid-19 është shumë më e lartë se sa oferta. Gara për të siguruar dozat e vaksinës është e ashpër, me shumë palë të zhgënjyera që kërkojnë përgjigje se kur do të mbërrijnë vaksinat dhe në çfarë sasie. Pasiguria mund të çojë në një proteksionizëm të vaksinave, me rezervat e prodhuara në vendet kyçe,që mbahen aty dhe grumbulluara për t’i shërbyer vetëm popullatave lokale.
Por ndërsa shqetësimet e vendeve të pasura mbi dërgesat e vonuara janë legjitime, është e rëndësishme të kihet parasysh se shumë vende të botës, nuk do të kenë këtë vit një qasje të gjerë tek vaksinat. Shqetësimi mbi mungesën e qasjes së barabartë tek vaksinat është shprehur në aspektin global, kombëtar dhe rajonal, ndërsa qeveritë po përpiqen të sigurojnë vaksina për popullatat e tyre.
Teksa kombet më të zhvilluara fokusohen tek vetja,kjo nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e një krize globale. Për sa kohë që virusi është i lirë të përhapet dhe të pësojë mutacione në disa vende, asnjë vend nuk është i sigurt.
Nëse qeveritë nuk arrijnë të sigurojnë që ekonomitë në zhvillim të kenë qasje tek vaksinat kundër Covid-19, ekonomia globale mund të humbë më shumë se 9 trilionë dollarë. Kjo shifër e madhe, flet për rreziqet e këtyre lëvizjeve aktuale drejt interesit vetjak. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

