“Është mbrojtur në heshtje”: Avokati flet për gjendjen e babait të Albert Krasniqit

schedule13:58 - 1 Shkurt, 2021

schedule 13:58 - 1 Shkurt, 2021

Ramiz Krasniqi, avokati i Skënder Krasniqit, i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij, deklaron se klienti i tij i ka thënë se vrasja e Albertit ka qenë aksidentale, me armën e këtij të fundit e cila ishte pa leje.

Pas tragjedisë, babai i të ndjerit ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, gjatë këtyre ditëve ai është mbajtur me qetësues. Avokati thekson se Skënderi është përmirësuar disi.

Sipas avokatit, në vendin ku ka ndodhur krimi ka pasur kamera dhe pamjet janë tërhequr nga policia. Por, ai thotë nuk e di nëse kamerat kanë qenë funksionale.

I pyetur se çfarë ka deklaruar famijla para policëve hetues dhe prokurorëve, avokati i Skënderit tha se nuk ka informacione.

“Unë nuk e di së çka kanë deklaruar familjarët, por e di që vrasja është aksidentale, ashtu më ka thënë Skënderi. Tani ta shohim se çfarë po flasin pamjet e kamerave. Me gjasë ka pas kamera, i kanë tërheq policia, por tash a kanë qenë funksionale a jo nuk e di se nuk e kam pa atë pjesë. Ajo pjesë ka qenë me kamera, por nuk e di e di që policia ka shku dhe besoj që i kanë tërheq”, tha Ramiz Krasniqi për Gazetën Express.

Më tej, avokati deklaroi se Skënder Krasniqi ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, por tani është pak më mirë.

“Edhe sot jam taku me Skënderin, është pak më mirë, e falënderojmë stafin e burgut i kanë nejt shumë gati, ai kur e ka ndonjë krizë i japin ndonjë qetësues dhe në krahasim me ditën kur është caktu paraburgimi ai është më mirë”, thotë ai.

Po ashtu, avokati tregoi se babai i Albertit nuk ka deklaruar asgjë para prokurororëve pasi është mbrojtur në heshtje.

“Skënderi është mbrojtur në heshtje, s’ka ndeklarur asgjë. Vetëm mu kur më ka thirrë më ka thënë Ramiz me dorë aksidentalisht më ka kërsit alltia, sepse alltia ka qenë e Albertit”, tha ai.

Ai shtoi se arma që e kishte blerë tashmë i ndjeri, Alberti, ka qenë pa leje.

“Arma pa leje ka qenë, nuk e di kur e ka ble Alberti armën”.

I pyetur nëse ka kontakt me familjarët e tjerë të Albertit, avokati Krasniqi tha se ka kontakt me vëllain e të ndjerit dhe se familja tani është në gjendje më të stabilizuar.

“Me vëllain e tij kam kontakt, tani familja është në gjendje më stabile, ta shohim çfarë po ndodh këto ditë”, përfundoi avokati.

Vrasja e Albert Krasniqit, që dyshohet se u krye nga babai i tij, tronditi Prishtinën. Krasniqi ishte i njohur për shkak të miqësisë së tij me personazhe të njohur, martesës me ish-missin e Kosovës dhe si djalë që rridhte nga një familje afaristësh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!