Shtatorja e harruar e Skënderbeut në Prizren

schedule21:15 - 25 Janar, 2021

schedule 21:15 - 25 Janar, 2021

Nga Isuf Kurtaj

Ju kujtohet debati për shtatoren e Skenderbeut të vendosur në Prizren? Dini gjë, çfarë u bë me të?

Ju tregoj unë! Aty është! Dy qen, janë shtrirë para saj. Shullehen nën rrezet e diellit që ka nxjerrë krye në këtë fund janar. Dy minuta më pas, retë mbi Koretnik i zënë frymën diellit. Fillon një shi i imët. Mund të jetë dhe borë. Nuk dallohet. Qentë lëvizin. Në vend të tyre vijnë dy mesoburra të ngarkuar me një shkallë. Pas tyre vjen në i tretë. Mban në dorë postera. I vendosin në njërën nga shtyllat, dhe largohen.

Pas disa minutash vjen një patrullë policie. Pas tyre dhe dy civilë. I fotografojnë dhe më pas përpiqen t’i heqin. Nuk i arrijnë dot. I vjen në ndihmë një i tretë. E grisin.

Sheshi “Skenderbe” në Prizren mbetet i paprekur.

Lajm i mirë.

Dikush këtu punon.

Por meqënëse pashë këtë episod teksa po prisja të futesha në bankën që ndodhet afër sheshit “Skenderbe” – që vetëm shesh nuk është – mu kujtua si për dreq ai debati që u pat’ ndezur për këtë momument. Me sa mbaj mend, u premtua se do të krijohej një komision, i cili pasi do t’i bënte një “radiografi” të hollësishme veprës, do ta fuste në “sitë”, dhe do të dilte me një vendim nëse kjo vepër përmbush kriteret artistike për të qëndruar aty. Por elektrizimi i qytetarëve dhe mediave nga partitë politike, për të bërë argatin në këtë fushatë të parakohshme, e ka lënë në hije, e ka sfumuar debatin e egër që një muaj më parë pati shkaktuar vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar.

Ndërsa rrethrrotullimi ku qëndron Skendebeu do të jetë arenë përplasjeje e posterave të kandidatëve të gladiatorëve të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, ne nuk e dimë akoma nëse Skenderbeu që rri kokëulur aty është Skenderbeu ynë. Ose të paktën unë nuk e di.

Politika nuk e ka mendjen aty. As qytetarët. Janë të përfshirë nga ethet e zgjedhjeve. Për çudi, prizrenasit nuk duken aspak të lodhur nga retorika e politikës pa programe, pa ide, pa vizione…  dhe në këtë prag fushate duket se gjëja e fundit që do t’u interesonte apo do t’i shkonte në mendje, është vendimi që do të merrte komisioni, nëse do ta merrte ndonjëherë, për heqjen apo mos heqjen e veprës së shtatores së heroit tonë kombëtar.

Dal nga banka.

Dielli kishte nxjerrë krye. Bashkë me diellin ishin kthyer dhe dy qentë poshtë këmbëve të shtatores së Skenderbeut. Shulleheshin në diell. Në trotuarin përballë shtatores, një grup taksistësh po ashtu, shulleheshin në diell…

Mora një kuti duhan te kioska përballë Skënderbeut.

Ndeza një cigare dhe u ngroha dhe dhe unë një copë herë në diell.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!