Nga Toni Barber, Financial Times
Brenda ose jashtë qeverive, populistët e djathtë në Evropë, nuk po përjetojnë një moment
të mirë. Një nga arsyet është përbuzja që kanë ndaj ekspertizës shkencore, gjë që në një pandemi si kjo aktualja entuziazmon vetëm një pakicë votuesish, dhe shqetëson shumë më tepër njerëz, që janë të shqetësuar për shëndetin dhe jetesën e tyre.
Por një shkak më madhor, është talenti i veçantë që shfaqin populistët në përfshirjen e tyre në skandale të rënda apo mosmarrëveshje të brendshme. Dy shembujt e fundit, kanë të bëjnë me Holandën dhe Estoninë. Që nga fillimi i vitit, koalicionet qeverisëse në Hagë dhe Talin janë rrëzuar në rrethana që nuk i nxjerrin në një dritë të mirë partitë kryesore politike në këto 2 vende.
Por në asnjë nga 2 kryeqytet, populistët e djathtë nuk ka të ngjarë që të jenë përfituese të krizave. Qeveria holandeze, dha dorëheqjen pasi rezultoi që zyrtarët e taksave kishin akuzuar në mënyrë të gabuar mijëra prindër për mashtrim të shtetit, në lidhje me pagesat sociale për fëmijët e tyre.
Aspekti ndoshta më i trishtë i këtij skandali, ishte se disa ministra në qeverinë e kryeministrit Mark Rutte, inkurajuan hetimin nga ama e burokracisë holandeze të mashtrimeve fiskale fantazmë. Në këtë mënyrë, ata përmbysën rregullin jo-zyrtar të politikës evropiane të shekullit XXI:që një numër i madh qytetarësh nuk u beson më qeverive të tyre.
Ata dëshmuan se qeveritë janë më se të afta të mos u besojnë qytetarëve të tyre. Sidoqoftë, skandali i sipër-përmendur, duket se ka pak ndikim në popullaritetin e partisë VVD të zotit Rutte, që gëzon një epërsi të dukshme në sondazhe përpara zgjedhjeve parlamentare
të 17 marsit. Dhe as nuk po e forcon ekstremin e djathtë në vend.
Katër vjet më parë, ishte një histori tjetër. Tronditja që shkaktoi referendumit pro Brexit në Britaninë e Madhe dhe fitorja e zgjedhjeve amerikane nga Donald Trump në vitin 2016,
bëri që politikanët kryesorë në Evropë t’i frikësoheshin rritjes së ekstremit të djathtë në zgjedhjet holandeze të marsit të vitit 2017, duke vendosur një precedent të rrezikshëm për garën presidenciale në Francës dhe zgjedhjet parlamentare gjermane më vonë gjatë atij viti.
Por kur establishmenti holandez i rezistoi sulmit të së djathtës radikale në vitin 2017, në kryeqytetet e BE-së pati një ndjenjë të madhe lehtësimi.
Sot ka edhe më pak shqetësime, mbi atë që do të ndodhë në zgjedhjet e afërta holandeze. Në një farë mase, kjo ndodh për shkak të përçarjes së madhe të Forumit për Demokraci (FvD), një lëvizje e ekstremit të djathtë që u shfaq në skenën politike holandeze në vitet 2016-2017, dhe ishte fituesja e madh e zgjedhjeve lokale në vend në marsin e vitit 2019.
Sot FvD është në kaos, pjesërisht pasi anëtarët e saj kanë qenë gjithmonë të prirur për përplasje, dhe pjesërisht sepse media holandeze ka ekspozuar kohët e fundit disa skandale të racizmit dhe antisemitizmi në këtë parti. Për më tepër themeluesi i partisë, Thierry Baudet, është shfaqur keq në sytë e publikut, teksa ka denoncuar fort masat e bllokimit që ka ndërmarrë qeveria, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Është e vërtetë, që vetë-shkatërrimi i FvD krijon sërish hapësirë për Geert Wilders, veteranin e të djathtës ekstreme dhe partinë e tij PVV. Por ndërsa në vitin 2017, PVV ishte në krye të shumicës së sondazheve 2 muaj para ditës së zgjedhjeve, tani ajo është të paktën 10 për qind më pak sesa partia e zotit Rutte.
Mesazhi anti-BE dhe islamofob i Wilders, duket se është më pak efektiv në një kohë kur kriza financiare e eurozonës dhe ajo e emigrantëve viteve 2010-2015, po zbehen nga kujtesa e qytetarëve. Qeveria e Estonisë u rrëzua këtë muaj, për shkak të një skandali korruptiv që lidhej me një zhvillim prone në Talin.
Një hetim penal, është përqendruar pjesërisht mbi një bashkëpunëtor të Ministrit të Financave Martin Helme, udhëheqësi i EKRE, një parti e ekstremit të djathtë, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Por problemi më i madh për EKRE, është se që nga futja e saj në qeveri në vitin 2019, sjellja e saj e ka prishur imazhin e Estonisë si “fëmija model” i demokracisë liberale në rajonin baltik post-komunist.
Disa politikanë të EKRE dhe shumë aktivistë në “Zgjimin Blu”, lëvizja rinore e kësaj partie, përqafojnë me entuziazëm gjuhën dhe imazhet e supremacistëve të bardhë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Mart Helme, kreu i EKRE, dha dorëheqjen në nëntor 2020 nga posti i Ministrit të Brendshëm, pasi e akuzoi “si të korruptuar” presidentin e ri të SHBA-së Joe Biden.
Deklarata e ardhur nga politikani i një prej vendeve më të vogla të Evropës, që kufizohet me Rusinë dhe që varet nga NATO dhe SHBA për sigurinë e tij, ishte tejet e papërgjegjshëm. Për momentin, EKRE renditet e treta apo e katërta në sondazhe. Sidoqoftë, politikanët estonezë të establishmenti, ka të ngjarë të mendohen 2 herë, para se t’i ofrojnë sërish ekstremit të djathtë një pjesë të pushtetit.
Austria mund të ofrojë një tjetër paralelizëm. Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, ishte pjesë e qeverisë së koalicionit në Vjenë në vitet 2017-2019, para se të zhyste veten në një skandal financiar. Votuesit e ndëshkuan këtë parti në zgjedhjet pasuese. Mund të jetë e ende parakohshme zhdukja e plotë e të djathtës ekstreme në Evropë, por aktualisht ajo po bën një punë shumë të mirë në drejtim të diskreditimit të vetvetes. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

