Atletiko e Madridit vazhdon triumfet me trajnerin Simeone

schedule13:06 - 16 Gusht, 2018

schedule 13:06 - 16 Gusht, 2018

Atletiko e Madridit vazhdon triumfet me trajnerin Diego Pablo Simeone. Superkupa e Europës, fituar ndaj Realit, ishte trofeu u 7-të nën drejtimin e argjentinasit.

Kanë kaluar 6 vjet nga ky moment, kur u arrit suksesi i parë. Tifozët e Atletikos së Madridit mësuan se trajneri i tyre, Diego Pablo Simeone, ishte garanci për fitore, pavarësisht dominimit absolut financiar të Realit e Barcelonës. Në maj 2012 u fitua Liga e Europës dhe i mbiquajturi “I Çmenduri”, ia ka dalë të mbledhë 7 trofe në 6 vjet. I fundit, ai i fituar mbrëmjen e kësaj të mërkure, Superkupa e Europës, duke ia dalë në mënyrën më të bukur të mundshme, ndaj rivalit më të madh e më të urryer nga tifozët, Realit të Madridit.

Atletiko mbërriti në Talin të Estonisë, një vend jo shumë i zakonshëm për të luajtur një sfidë të tillë, me besim se mund t’ia dilte. Po kështu u ndje edhe kur doli në fushë për nxemjen përpara finales dhe gjatë ceremonisë së hapjes. Kishte arsye për optimizmin. Antuan Grizman refuzoi ofertën e Barcelonës, ashtu si edhe portieri Oblak refuzoi Çelsin.

Ekipi u përforcua me shumë lojtarë si Lemar, Rodri, Kaliniç apo Zhelson Martins, sa për të thënë disa. Në stadiumin e Talinit, parashikimet u respektuan dhe Atletiko ia doli, me dy gola të Diego Kostës, një të Saulit e një të Kokes. Simeone u shfaq i lumtur, por edhe i kujdesshëm pas takimit.

Diego Pablo Simeone, trajner i Atletikos së Madridit: “Një natë e jashtëzakonshme e Kostës, një ndeshje që përfundoi 2-2 në 90 minuta, ku ekipi u rrit sa më shumë kalonin minutat. Është e qartë se kemi në dispozicion një skuadër shumë të mirë. Kemi marrë lojtarë të rinj, nuk na janë larguar lojtarët që kishim. Duhet të mbetemi me këmbë në tokë, dhe të mos harrojmë se kemi luajtur thjesht një ndeshje. Ishte vërtet një ndeshje e madhe, donim të ishim kampionë, por tashmë duhet të mendojmë për Valencian, sepse në jetë, dhe në futboll rëndësi ka ndeshja e radhës”.

Çfarë ndodhi me Realin? Kaq e rëndë paska qenë ikja e Kristiano Ronaldos, sa për ta nisur sezonin me disfatë? Trajneri Hulen Lopetegi nuk mendon kështu.

Hulen Lopetegi, trajner i Realit të Madridit: “Është e qartë se ndeshja nuk na shkoi mirë. Nuk është se nuk u përpoqëm dhe se nuk kishim mundësi për të fituar, por ajo që bëmë nuk ishte e mjaftueshme. Patëm mundësi ta vrisnim ndeshjen, por nuk ia dolëm, dhe kjo na ndëshkoi. Atletiko është skuadër që nuk të fal, nëse bën gabime. Nuk mendoj se humbëm sepse nuk kishim Ronaldon. Me Kristianon u fitua shumë, por duhet të mendojmë për të ardhmen, jo për të shkuarën. Mund të fitojmë gjithçka me skuadrën që kemi”./abcnews.al