30 vjet gazeta “Çamëria”, zëri i fortë i çështjes Çame

schedule19:01 - 20 Janar, 2021

schedule 19:01 - 20 Janar, 2021

Në një aktivitet të organizuar në kuadër të “Javës Çame”, u përkujtua sot 30-vjetori i Gazetës “Çamëria”, një zë i rëndësishëm për mbajtjen gjallë të kauzës çame dhe shpërfaqur të vërtetat historike të shqiptarëve të Çamërisë

E themeluar në korrik të vitit 1991, “Çamëria” ishte ndër të parat publikime në pluralizmin shqiptar.

Për Hektor Sejko , Kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria” kjo gazetë është vlerë e madhe e komunitetit tonë çam, por edhe gjithë shqiptarisë.

Prof. Bashkim Kuçuku, kryeredaktor i parë i Gazetës “Çamëria” u shpreh se “ky 30-vjetor shënjon një ngjarje të rëndësishme atdhetare dhe kulturore”.

“Shkrimet mbeten, nuk zhbëhen dot. Shoqata pa gazetën do të rrezikohej nga harresa. Gazeta krijoi ndërgjegje. Ajo krijoi prestigj për Çamërinë, historinë, traditat, kulturën si dhe njohu publikun me të vërtetat historike të Çështjes Çame”, u shpreh ai.

Në këtë takim mori pjesë edhe kreu i Partisë Drejtësi, Integrim e Unitet, z. Shpëtim Idrizi. Ai tha se “zëri i gazetës “Çamëria” solli në vëmendje sërish Çështjen Çame dhe shprehu mirënjohjen e tij për penat që kanë shkruar e kanë mbajtur gjallë kauzën e Çamërisë”.

Megjithatë sipas z. Idrizi, “politikanët shqiptarë nuk kanë mësuar asgjë nga historia e Çamërisë”.

“Pse nuk kundërshtoi kryeministri shqiptar kur ai grek mburret me zgjerimin në Jon? Pse u zgjerua pikërisht sot? Cila ishte menyja në drekat kryeministrore: deti, varrezat, apo heqja e Çamërisë nga tekstet e historisë? Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur në këtë “Javë Çame”. Shqipëria pa Çamërinë është e paplotë. Ne kërkojmë të kthehemi në tokat tona. Trupin e kemi këtu, kokën në Çamëri”, përfundoi ai.

Gazeta “Çamëria” gjendet sot dhe në variantin e saj online në adresën gazetacameria.al.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!