Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

“Shënoi 400 gola me trion bardheblu”, Meta dekoron legjendën e futbollit shqiptar

schedule17:34 - 20 Janar, 2021

schedule 17:34 - 20 Janar, 2021

Shkëlqim Muça, ish-futbollisti i Tiranës dhe i kombëtares, më pas trajner kampion me disa skuadra të mëdha në vend, është dekoruar ditën e sotme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i madh”. Elozhe të shumta për Muçën, i cili është një nga futbollistët më të mëdhenj të kampionatit tonë, i cili ka spikatur edhe me fanellën kuqezi të Shqipërisë.

POSTIMI I METËS – “Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë.   Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit” dhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin si titullar me “Shpresat” në 1981, si kampionë të Ballkanit, për të vijuar me disa tituj Kampion dhe Kupa Republike me “Tironën vija-vija”.

 



Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushën e blertë, sulmues befasues dhe gjuajtës rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve.

Sportdashësit e viteve ’80 e mbajnë mend shumë mirë kur bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme për kundërshtarët, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.

Pa harruar kontributin e tij të vyer në fitoren 2-0 me Belgjikën e madhe të asaj kohe, ku padyshim ai mbajti një peshë shumë të madhe.

Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta të arritura, si futbollist e si trajner, duke nderuar fanellën bardhë e blu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive, kisha sot kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën, me Titullin “Mjeshtër i Madh”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!