Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse për verifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se ky institucion u ka dërguar shkresa të veçanta gjashtë institucioneve, për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, përkitazi me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Shkresat janë dërguar në: Policinë e Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në ligj thuhet se kandidatët që janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk mund të garojnë për deputetë.
Po sipas ligjit, kandidat nuk mund të jetë një person që është gjykatës, prokuror ose dikush që është i shpallur fajtor me vendim të gjykatës në tre vjetët e fundit.
“Kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na i dërgojë emrat nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës, nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin u është hequr e drejta për të qenë kandidatë dhe nëse janë shpallur fajtorë me vendim të gjykatës në tre vjetët e fundit”, tha Elezi.
Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar, 2021, në orën 12:00, të përgjigjen për kërkesat që kanë lidhur me verifikimin e kandidatëve.
Pas verifikimit, Zyra për Regjistrim do t’i paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve.
Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP-së.
KQZ-ja do të veprojë sipas vendimeve që dalin nga këto institucione.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1,079./REL