Alban Guri, shoferi i automjetit i cili përplasi dje për vdekje para derë së shtëpisë një vajzë 9-vjeçare në Tiranë ka qenë në gjendje të dehur.
Burime nga policia sqarojnë se shoferi 49-vjeçar u arrestua në flagrancë dhe është konstatuar se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit në masën 0.42 mg/l.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 12:30, në rrugën “Njazi Meka” në zonën e Alliasit në kryeqytet. Vajza doli nga shtëpia bashkë me një fëmijë tjetër, i cili arriti të kalonte në anën tjetër të rrugës.
Goditja e vogëlushes nga automjeti tip “Nisan”, që dyshohet se lëvizte me shpejtësi, ishte fatale për të. Drejtuesi i mjetit, u largua nga vendngjarja. Ndërsa 9-vjeçarja u transportua me një makinë të rastit në spital, ku fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Nga pamjet e siguruara shihet se ngjarja ka ndodhur në një rrugë të ngushtë, ku vihet re edhe mungesa e trotuarit. Gjerësia e rrugës para derës së shtëpisë së viktimës është më e vogël se në të gjihë pjesën tjetër të rrugës.
Drejtuesi i mjetit qe goditi për vdekje 9-vjeçaren u largua nga vendngjarja, por u arrestua më pas nga policia. Para grupit të hetimit Alban Guri është justifikuar duke thënë se nuk e kishte parë vajzën, ndërsa për largimin nga vendi i ngjarjes nuk ka folur. g.v/abcnews.al