Pirlo: Juve s’ishte fare në fushë, kishim frikë! Nuk luanim dot më keq

schedule23:24 - 17 Janar, 2021

schedule 23:24 - 17 Janar, 2021

Andrea Pirlo e pranon që Juventusi i tij as që u fut në fushë kundër Interit. Trajneri i bardhezinjve ishte i zhgënjyer për paraqitjen e skuadrës së tij. “Kishim sjelljen e gabuar që në fillim të ndeshjes, kur ishim të pavendosur për të fituar duelet dhe kështu bëhet më e vështirë.

Ne thjesht nuk u futëm në fushë, ishim përkohësisht vetëm, kishim frikë nga loja sulmuese e Interit, ndaj mendjet tona u përqendruan vetëm në mbrojtje. Madje as aty nuk ishim aspak agresivë”, tha fillimisht Pirlo.

Më pas ai shtoi: “Lejuam Interin të kishte iniciativën dhe ata bëhen shkatërrues në ato kushte. Ishte një humbje e keqe, nuk mund të luanim më dobët se kaq dhe është e papritur. Gjithsesi duhet të çojmë kokën dhe të përgatitemi për finalen e Superkupës të mërkurën kundër Napolit.

Ronaldo është sulmues që lëviz gjatë vijës së sulmit dhe ai po përpiqej të gjente hapësira në zonën e Bastoni në fushë. Problemi kryesor ishte që lejuam Interin të kryqëzohej lehtësisht dhe kështu ata futeshin në zonë me shumë lojtarë”.

“Objektivat tona mbeten të njëjta. Ishte një ndeshje ndaj një ekipi të fortë dhe janë gjëra që ndodhin, por më ka zhgënjyer më së shumti sjellja e lojtarëve në fushë. Një skuadër si Juventusi duhet të vijë këtu me siguri dhe ambicie, me dëshirën për të marrë iniciativën dhe për ta drejtuar lojën. Përkundrazi ne ishim shumë të ndrojtur”.

“Trajneri është gjithmonë i pari që e merr fajin, pasi nëse skuadra nuk bën atë që kemi planifikuar do të thotë që nuk e kanë kuptuar planin. Ishim të ç’organizuar te goli i parë që pësuam dhe më pas u bë edhe më e vështirë për ne”, ka përfunduar Pirlo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!