Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme se qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama kanë bllokuar dhe penguar projektet e bashkisë së Tiranës, gjatë kohës që Basha ishte në krye të saj.
Basha pohoi në emisionin “Opinion” se gjatë një takimi me presidentin francez François Hollande, Rama ishte shprehur se projekti i tramit të qytetit, nuk ishte prioritet.
“U bë projekti me fizbilitetin, qeveria franceze vendosi ta financonte. Kryeministri Edi Rama, në takimin me presidentin Hollande, sipas raporteve zyrtare të ambasadës franceze, i tha presidentit Hollande se trami i Tiranë nuk është prioritet. Se më ka ardhur mesazhi pa ardhur Rama nga Franca, kishim bërë gati kredinë për të investuar tramin”, u shpreh Basha.
Gjatë emisioni Basha u pyet gjithashtu nga gazetari Baton Haxhiu nëse do ta përfshijë Sali Berishën në listat për deputetë, apo nëse së paku do të përfshijë një familjar të tij në këto lista.
Lidhur me këtë Basha tha se kjo është përpjekje e Edi Ramës për ta zhvendosur vëmendjen nga ai tek Berisha dhe Meta.
Lexo edhe: Basha: Opozita me një koalicion në zgjedhje, unë jam kandidat për kryeministër
“Unë nuk merrem me nderime familjesh. Kam bërë edhe unë gabimet e mia, mendoj se kam reflektuar. Dy gjëra: padiskutim që një nga strategjitë e Edi Ramës, kandidati që jam unë për kryeministër dhe ta zhvendos vëmendjen te dy persona të tjerë që ka pasur betejë, Metën dhe Berishën. Për ta zhvensour këtë në një shah të vogël politik. Edi Rama është mjeshtër i një shahu politik, që banalizoi fushatën e 2017-ën në dy fjalë tepsi dhe timon. Këtu shkëlqen, por ka një dështim katastrofal mbi ekonominë, uljen e taksave për 97 për qind të shqiptarëve ku i ka?!”, tha ai. g.v/abcnews.al

