U deshën disa orë reshje të dendura shiu që rruga Borsh Sarandë disa ditë më parë të ndahej në mes. Një prej banorëve të zonës ka parë gjithë momentin.
“Iku katër gisht. Ky dëmtim ka ndodhur tani për një arsye të vetme. Ujërat që janë mbledhur, atje ka pasur një pusetë. Ajo pusetë ka hapur edhe një kanal”, thotë ai.
Çarja e rrugës po ndikon dhe në jetesën e banorëve të Borshit. Një familje në këtë zonë nuk mundi të fuste arkivolin e të afërmit të ndjerë në shtëpi për shkak të problemit të rrugës.
“Ndërroi jetë në spital në tiranë kunati. Ku do e shpini i thashë. Kur e prunë nga Tirana nuk e futën dot në shtëpi”, tregon një banor.
Dëme kanë pësuar dhe disa banesa. Lëvizjet në këtë rrugë vazhdojnë të funksionojnë vetëm në një kah. Siç duket dhe nga pamjet pjesa e dëmtuar është mbuluar.
Kjo rrugë i është nënshtruar një rikonstruksioni total në vitin 2007-2009. Dhe 6 muaj më parë është kryer dhe një tjetër riveshje e asfaltit nga firma Salillari.
Po duket se punimet nuk kanë qenë fort cilësore për sa kohë që dhe Këshilli i Lartë i Shtetit ngriti një grup auditimi për të zbuluar shkakun e shembjes dhe për të verifikuar procedurat që janë ndjekur për lidhjen e kontratës me kompaninë Salillari, që ka fituar prokurimin./mv.abcnews.al