Mercedes Gega në një lidhje me Skype nga Korfuzi për “Friend Zone” foli për librin më të fundit që mban titullin “Vjeshta është shtëpia ime”. Poetja u shpreh se libri tashmë është përkthyer në greqisht, ndërsa po punon për të sjellë një version në anglisht.
“Vjeshta është stina ime e preferuar, do ta quaja veten bijë vjeshte ndoshta dhe për faktin se kam lindur në fund të shtatorit. Por çdo stinë ka individualitetin dhe bukurinë e vet. Por vjeshta është komplet gjë tjetër për mua, është një vorbull emocionesh, romanticiteti. Dikush e ka quajtur me të drejtë buzëqeshja e dimrit. Nuk ishte rastësore se pse e kam zgjedhur dhe është një formë tjetër për të thënë Dezi.“, u shpreh ajo.
Më tej, ajo zbuloi se disa poezi kanë tërhequr vëmendjen e artistëve për t’u kthyer në këngë. Gega shtoi se një artist shumë i njohur shqiptar e ka kontaktuar për njërën nga poezitë, por preferoi të mos zbulonte emra duke e lënë surprizë.
“Jam në bisedime për përkthimin në anglisht dhe madje disa poezi të librit janë pëlqyer dhe janë propozuar për t’u kthyer në këngë. Kërkesa dhe oferta është bërë nga një artist i njohur në Shqipëri. I pëlqeu shumë si poezi dhe të shohim se si do të ecë bashkëpunimi.”, shtoi më tej poetja. /abcnews.al