Nga Agim Blloshmi
Kostenja është një nga fshatrat më të largët të Librazhdit, rreth 75 kilometra. Banorët e para mendohet se kanë mbërritur në këtë fshat rreth vitit 1750 dhe kjo është e dokumentuar nga perandoria osmane.
Jetesa e këtij fshati me natyrë të virgjër vitet e fundit është vështirësuar. Ata rendisin problemet me të cilat përballen.
“Që nga ‘90 e këtej nuk është bërë asnjë investim. Që nga elektrike. Këtu matanë kemi kabinën elektrike copë-copë. Telat e tensionit të mesëm janë nëpër pisha. Kemi bërë kërkesë “do i bëjmë, do i bëjmë”.
“Nevojat janë të shumta. Kryesore është lidhja e rrugëve nëpër lagje. Ujë dhe energji, këtë kërkojmë nga qeveria dhe firma që po bën hidrocentralin në fshatin Kostenj” tha një tjetër banor.
Ky fshat ka ende toka të pandara me dru gështenjte. Kush mundet e mbledh dhe e shet, ndërsa të tjerët mbledhin bimë mjekësore. “Gështenjat janë të pandara, kush mbledh shet. Jetojmë me bimë mjekësore dhe emigracion. Me tokën që kishim e çonim gruri në grumbullim. Tani tokën e bukës e mbjellim jonxhë” tha një tjetër.
Të rinjtë e këtij fshati punojnë në shtet fqinje dhe në qytet e vendit. Po ka dhe të tjerë që edhe pse ju mungojnë kushtet më minimale të jetesës nuk e braktisin fshatin. “Çfarë dua në Tiranë unë? Ujin e kam timin, ujë bjeshke, i kam të gjitha bio, atëherë cfarë dua në Tiranë unë?” tha banori.